Detaje të reja janë zbuluar mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë mëngjes në periferi të Kombinatit ku një 49-vjeçare është gjetur e vrarë, pranë Liqenit të Sharrës në Tiranë.

Sipas informacioneve të policisë, Lirie Xhepa është qëlluar me tre plumba dhe është gjetur e hedhur në disa shkurre. Kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë njoftuar policinë, ndërsa nuk kanë arritur ta identifikojnë pasi kishte plagë edhe në fytyrë

"Panorama" mëson se ka qenë djali i saj i vogël, i cili jeton me të, ai që ka bërë identifikimin e trupit të së ëmës në morg. Ndërkohë mësohet se ajo ishte nëna e katër djemve, dy prej të cilëve jetojnë jashtë shtetit, një ndodhet në burg dhe djali i vogël është në shkollë, dhe jetonte me të, në këtë zonë. Viktima merrej me blegtori, dhe së fundmi kishte nisur punë pranë një fabrike këpucësh.

Dyshimet e para thonë se kemi të bëjmë me një krim në familje, ndërsa thuhet se viktima ka pasur konflikte me kunatin, Dashamir Xhepën i cili është shpallur në kërkim nga policia.