Një 47- vjeçar është vrarë me armë zjarri pas mesnate në fshatin Shëndelli të Sarandës. Mësohet se viktima Aleksandër Bardhi, nga fshati Shëndelli, është vëllai i ish- kryeplakut të fshatit Shëndelli, Petrit Bardhi, i cili aktualisht mban detyrën e kreut të njësisë administrative Kaçinar.

47-vjeçari është qëlluar me një plumb në rrëzë të kofshës së djathtë dhe është gjetur në një kanal nga djali i xhaxhait të tij. Pavarësisht se është dërguar në urgjencën ‘Stefan Mekshi’ të Sarandës,  Aleksandër Bardhi nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.

Njoftimi i plotë i policisë për ngjarjen:

Rreth orës 00:35, në Spitalin e Sarandës është dërguar një trup i pajetë i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Policia ka filluar menjëherë hetimet paraprake në lidhje me ngjarjen dhe ka bërë të mundur identifikimin e viktimës si shtetasi Aleksandër Bardhi, 47 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë.

Gjatë hetimeve paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur afër fshatit Shëndëlli (përballë fshatit Vrinë) ku sipas deklaratës së personit që e ka shoqëruar viktimën në Spitalit e Sarandës (djali i xhaxhait të viktimës) dyshohet se trupi i pajetë është gjetur nga ana e tij i vrarë me armë zjarri të dyshuar të llojit “Automatik” në rrugën hyrëse të këtij fshati.

Grupi hetimor po kryhen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Policia ka ngritur pika kontrolli në rrugët kyçe rreth kësaj zone për rënien në gjurmë të autorëve me qëllim identifikimin dhe kapjen e tyre.