TIRANË, 21 mars 2013 – Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi mblodhi sot grupin e punës për hartimin e metodës së kompensimit fizik të ish-pronarëve.
Ky grup, sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, do të finalizojë të gjithë procesin. Kjo metodë do të paraqitet dhe do të diskutohet me grupet e interesit brenda muajit prill.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Avenir Peka deklaroi se është në përfundim procesi i digjitalizimit të të gjitha vendimeve të dala nga Agjencia dhe gjykata.
Grupi i punës do të konsultohet me shoqatat e ish-pronarëve si dhe do të reflektojë ekspertizën më të mirë ndërkombëtare për këtë proces.
Ky hap ndërmerret në vijim të zbatimit të Strategjisë ndërsektoriale në fushën e të drejtave të pronësisë pasi ka përfunduar procesi i hartës së vlerës së tokës me çmimet e tregut, është bërë inventarizimi i plotë i të gjitha dosjeve dhe shpërndarja e fondit të kompensimit financiar.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





