Ed Sheeran po krijon një fondacion me emrin e tij për të mbështetur edukimin muzikor në Britani. Fondacioni Ed Sheeran do të synojë të ofrojë arsim gjithëpërfshirës muzikor dhe do të mbështesë 18 organizata të edukimit muzikor dhe departamente muzikore të shkollave publike në të gjithë vendin.

Ai do të synojë të përmirësojë aksesin në muzikë për mbi 12,000 fëmijë dhe të rinj duke ofruar instrumente muzikore, duke krijuar mundësi performancash për të hapur terrene të reja në industrinë e muzikës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetet sociale.

Duke folur për sipërmarrjen e tij të re, Ed Sheeran tha: “Trajnimi muzikor ka formësuar atë që jam. Gjithmonë më ka pëlqyer të luaj muzikë dhe kjo më ka çuar në disa nga periudhat më të mira të jetës sime”.

Në postimin e tij në llogarinë personale në Instagram, këngëtari dhe kantautori anglez ka thënë: “Krijova Fondacionin Ed Sheeran, sepse kohët e fundit po i kushtohet gjithnjë e më pak vëmendje edukimit muzikor. Edhe kur shkoja në shkollë, ata e konsideronin atë një “lodër” dhe nuk e merrnin seriozisht.”