Në një kohë kur zyrtarisht pranohet nga Banka e Shtetit se niveli i kredive të këqia vitet e fundit ka ardhur në rritje duke prekur tashmë shifrën 22%, deputeti socialist Edison Konomi deklaron për “Dyrrah” se është vetë qeveria Berisha, ajo që po ndikon me politikat e saj në prishjen e marrëdhënieve deri tani të mira mes biznesit dhe bankave.
Sipas Konomit, borxhi që shteti u ka shumë bizneseve, kryesisht kompanive ndërtuese të rrugëve dhe veprave të tjera publike ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e kredive që këto biznese i kanë bankave të nivelit të dytë. Në të njëjtën kohë mos rimbursimi i TVSH-së dhe mos rishikimi i borxhit (kredive) që bizneset i kanë sistemit bankar po shkakton efekte negative edhe në portofolin e vetë bankave.
“Kontribuesi kryesor i prishjes së marrëdhënies deri tani të mirë klient-bankë është qeveria dhe shteti. Dhe kjo vjen për tre arsye. Trekëndëshi qeveri-bankë-shoqëri ndërtimi ka krijuar një borxh që kap vlerën 130 milion USD. Mospagimi i kompanive për punën e bërë ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e kredive të këtyre bizneseve me bankat. Rimbursimi i faturave të TVSH-së, i pranuar sot nga qeveria në shifrën 12 miliardë lekë, është një tjetër problematikë që rëndon mbi biznesin. Ka shumë biznese që janë kreditorë ndaj drejtorisë së Tatimeve dhe nëpër banka u shkon bllokimi i llogarisë, sepse nuk kanë paguar tatim-fitimin e muajit. Kjo është absurde. Ndërkohë nuk merret asnjë inisiativë nga qeveria për të riparë borxhin e kompanive që këto të fundit u kanë bankave, por gjëja më e thjeshtë është bllokimi i llogarive. Në çdo bankë, për çdo ditë arrin një urdhër bllokimi llogarie nga ana e drejtorisë së Tatimeve. Kjo e detyron bankën që të zbatojë ligjin, por nga ana tjetër klientët detyrohen të qarkullojnë paranë jashtë bankave. Kjo krijon një efekt të drejtpërdrejtë në cilësinë e portofolit të tyre të kredisë si dhe në likujditetin e bankave. Kontribuesi kryesor për krizën në Shqipëri është keq qeverisja e vendit nga mazhoranca aktuale”,- thotë Konomi.
Sipas tij prishja e kësaj marrëdhënieje jep efekte të drejtpërdrejta në ekonomi. Banka rrudh kreditimin, ndërkohë biznesi gjendet në vështirësi, madje në disa raste rrezikon falimentimin. “Rritja e kreditimit këto vite ka qenë motori kryesor i rritjes ekonomike të vendit. Kjo rritje nuk ka ardhur për shkak të politikave qeverisëse, por prej sistemit bankar”,- deklaron Konomi.
Nisur nga kjo. ulja e kreditimit i ka dhënë menjëherë efektet në ekonominë tonë. Parashikimi më i fundit nga ana e BERZH për rritjen ekonomike të Shqipërisë, që ndalet në shifrën 0.6%, është sipas deputetit socialist një rritje inekzistente. Kjo për shkak se sipas tij për një vend në zhvillim siç është Shqipëria një rritje e tillë është e papërfillshme. Mospranimi kohë më parë nga ana e qeverisë i efekteve negative që do të sillte në ekonominë shqiptare kriza globale ka krijuar sipas Konomit situatën në të cilën ndodhet sot vendi.
Mospagimi i kompanive për punën e bërë ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e kredive të këtyre bizneseve me bankat. Rimbursimi i faturave të TVSH-së, i pranuar sot nga qeveria në shifrën 12 miliardë lekë, është një tjetër problematikë që rëndon mbi biznesin. Ndërkohë nuk merret asnjë inisiativë nga qeveria për të riparë borxhin e kompanive që këto të fundit u kanë bankave, por gjëja më e thjeshtë është bllokimi i llogarive
Për të parë një dritë jeshile në rigjallërimin e ekonomisë së vendit dhe uljen e numrit të kredive të këqia, Konomi thekson se është i domosdoshëm ristrukturimi i borxhit që biznesi i ka bankave. Pa ndërmarrjen e këtij hapi sipas Konomit situata mund të përkeqësohet edhe më tej. Në të njëjtën kohë deputeti socialist deklaron se nëse do të bëhej ristrukturimi i borxhit atëherë ekspertët e ekonomisë do të arrinin të zbulonin numrin real të kredive të këqia.
“Ministri Ridvan Bode deklaroi se nuk do të ketë ristrukturim të kredive, por do të vijohet me ekzekutimin e tyre. Në ditët tona në të gjithë botën po flitet për ristrukturim borxhesh, ndërkohë që qeveria jonë nuk pranon të ristrukturojë kreditë e këqia. Zgjidhja do të ishte dhënia mundësi bankave të rishikojnë portofolet e tyre. Kjo gjë do të sillte edhe një efekt tjetër. Do të krijohej një vision më i qartë për situatën reale të kredive, sepse problem i kësaj qeverisjeje është fshehja pas interpretimit të shifrave”,- thotë Konomi.
Ndërsa jemi në prag të vitit elektoral dhe të gjitha forcat politike kanë nisur jo zyrtarisht fushatën dhe kanë prezantuar programet elektorale deputeti socialist i qarkut të Durrësit deklaron se “programi ekonomik i PS-së është rezultat i takimeve të shumta dhe tryezave të përbashkëta me të gjitha grupet e interesit. Pra është një program që është hartuar mbi bazën e kontakteve me njerëzit e jo i fabrikuar në zyrat e partisë”.
Në një kohë kur lideri i selisë rozë Edi Rama i ka premtuar elektoratit se nëse PS-së do të vijë në pushtet vitin e ardhshëm, taksa e biznesit të vogël do të hiqet, kryeministri Berisha e ka sulmuar fort këtë deklaratë të rivalit të tij duke e quajtur një kthim pas në kohë. Për deputetin Konomi heqja e taksës së biznesit të vogël do t’i jepte një ndihmë mjaft të madhe biznesit dhe në të njëjtën kohë do të ulte ndjeshëm evazionin fiskal në ekonominë shqiptare.
– Borxhi që qeveria u ka kompanive që kanë kryer punë publike kap vlerën 130 milion USD
– Rimbursimi i faturave të TVSH-së, nga qeveria kundrejt biznesit kap shifrën 12 miliardë lekë
– Borxhi që ekzekutivi i ka sektorit privat llogaritet sa 1-2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto
Megjithëse nisma e selisë rozë trumbetohet nga kryeministri si një mashtrim ndaj qytetarëve për socialistët ndikimi i kësaj takse në buxhetin e shtetit është shumë i vogël. Në të njëjtën kohë sipas tyre ekzistojnë mekanizma të tjerë që do të bënin të mundur rimbursimin e të ardhurave nga kjo taksë.
“Heqjen e taksës së biznesit të vogël sot qeveria po e përdor si tabu. Kjo taksë kontribuon vetëm 0.5% në buxhetin e shtetit. Nëse kjo taksë do të hiqej sigurimi i të ardhurave nga mungesa e saj do të realizohej përmes reduktimit të evazionit fiskal. Heqja e kësaj takse do të rrisë numrin e bizneseve të vogla, do të rrisë numrin e të siguruarve etj. Në këtë mënyrë kjo taksë do të rimbursohej shumë lehtë. Ne synojmë të ngrejmë në këmbë një ekonomi që t’u shërbejë qytetarëve”,- tha Konomi. Kësaj do t’i shërbejë sipas deputetit socialist edhe unifikimi i administratës tatimore që do të reduktonte koston për administratën shtetërore e mbi të gjitha do të lehtësonte biznesin.
Duke u ndalur tek privatizimet e shumë aseteve shtetërore, për të cilat opozita e ka ngritur shpeshherë zërin, sidomos për vlerën e ulët me të cilën janë shitur disa prej tyre Konomi shprehet se politika e ndjekur nga qeveria për rritjen e pagave e pensioneve me lekët e privatizimeve është politikë e gabuar.
“Me këtë nuk dua të them se Partia Socialiste është kundër rritjes së pagave dhe pensioneve, por ekzistojnë modalitete të tjera që mund të sigurojnë paratë për rritjen e tyre. Nga ana tjetër problem madhor mbetet borxhi i madh publik. Shlyerja e një pjese të mirë të këtij borxhi mund të bëhej përmes privatizimeve. Por megjithëse janë bërë privatizime të shumta, paratë e përfituara prej tyre nuk kanë shkuar për shlyerjen e një pjese të borxhit”,- thotë Konomi.
Sipas tij niveli mjaft i lartë i borxhit publik dhe afatet e shkurtra të shlyerjes së tij dhe normat e larta të interesit do të rëndojnë për një kohë të gjatë mbi kurrizin e shqiptarëve.





