S’mund të të vijnë të gjithë në kortezh!

28/07/2018 - 18:28

Nga Rexhep Hoti   

S’mund të të vijnë të gjithë në kortezh! 

Adem Demaçit 
Sot, 
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë! 
Pa çka se humanizmi yt e mëshiroi politikën anekënd; 
Peshonte e rëndë gjurma jote për lirinë e atdheut, 
O Bacë! 
E kush të qëndronte së bashku me ty në atë vend?!

Sot, 
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë! 
As shokët e idealit që i përcillje nga qelitë; 
Të vërtetën për ty s’ka kush ta shkruajë, 
Baca Adem, 
Spiunë ordinerë për ty u bënë edhe shkrimtarët, 
Medet! 
U bënë akademitë!

Sot, 
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë! 
Nën këmishën e shqyer të kombit është e koduar tradhtia; 
S’ka arsye më të mos thuhet kjo! 
Ti i mbaje në shpirt tri dekada të gropuara nën hekura 
E shqiptarët nëpër gosti thoshin me dhëmbë të zhveshur, 
Sa e shtrenjtë është liria!

Sot, 
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë! 
Nuk ka aq shumë maska, s’ka aq shumë make up-e për fytyrë, 
Ti po ikën pa brengë drejt fluturimit tënd nëpër univers 
Adem, 
Të faleminderit, që ashtin e kombit e lë pa mynxyrë!

Sot, 
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë! 
Nuk është mëkat! 
Për të gjallë e bëre trungun ilirë të mos shembet më nën dhé, 
Bima etnike të mos shkulet më nëpër Gadishullin Ballkanik 
E foshnjat mund të qajnë, të qeshen lirshëm 
Pa dallime nëpër atdhe!

Sot, 
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë! 
Meditimet të qëndrojnë në hap me pacifistët nënsundim; 
Ua fale kredencialet tua pa u hamendur dikur; 
Të lumtë, mund të thonë cinikët; 
Në shenjë nderimi u këmbye një titull! 
Oh, sa mospajtime kishte! 
S’dihej më kush ishte Laokoonti, 
E kush Kali i Drunjtë!

Sot, 
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë! 
Ti ishe Demaç, 
Imuniteti yt qëndronte mbi të Drejtën për të Gjykuar, 
Ishe vetë Atdhe 
E kur fjalët e tua kishin më pak kuptime 
Më shumë gurë kishim ne!

Prishtinë, 28.07.2018

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: