Aromat e mira janë përgjithësisht të këndshme, përveç rasteve kur ke astmë.

Në këtë rast, mund të ndodhin reaksione të ndjeshme, madje edhe kriza astme.

Kudo jemi të rrethuar nga aroma, të mira apo të këqija. Ndonjëherë as e kuptojmë, por hunda jonë është vazhdimisht në veprim. Gjithnjë e më shumë ka substanca aromatike dhe gjithnjë e më shumë njerëz po hasin probleme me këto aroma qëllimmira. Këtu përfshihen sidomos njerëzit me astmë.

Aromat nuk janë gjithmonë të identifikueshme

Aromat nuk janë gjithmonë aq të forta sa ne t’i perceptojmë qartë dhe t’i shmangim ato në përputhje me rrethanat. Ne i thithim ato në mënyrë të pandërgjegjshme. Por të gjitha veprojnë në trurin tonë. Industria ka përfituar nga kjo për një kohë të gjatë. Në supermarkete, aromat përdoren në mënyrë të qëllimshme për të ndikuar në sjelljen e blerësve.

Era e frutave të agrumeve, për shembull, ka një efekt freskues dhe gjallërues dhe bën që shumë klientë të qëndrojnë në një dyqan dhe të blejnë atje ndoshta më shumë sesa menduan fillimisht. Pak njerëz janë të vetëdijshëm se sjellja e tyre mund t’i atribuohet aromave, pasi efekti është në nënndërgjegje.

Por te astmatikët, aromat shpesh perceptohen shumë ndryshe nga njerëzit e shëndetshëm. Tek njerëzit me astmë, membranat e poshtme të mukozës zakonisht janë të infektuara. Aromat e përforcojnë këtë gjendje dhe mund të irritojnë mukozën në atë masë sa që problemet e frymëmarrjes të përkeqësohen apo edhe të shkaktojnë një krizë të rrezikshme astme.

Substancat aromatike janë kudo

Për më shumë se 15 vjet, Shoqata Gjermane e Alergjisë dhe Astmës (DAAB) ka qenë e interesuar për efektet e substancave aromatike që transportohen përmes ajrit. Kështu, në tetor 2020, organizata nisi një anketë në internet për ankesat dhe përvojat e të prekurve. Projekti zgjati deri në shtator 2021 dhe në të morën pjesë rreth 900 persona të prekur.

“Ne dyshojmë për një lidhje me shtimin e aromave në ambjente për qëllime marketingu. Kontakti i të sëmurëve me astma me aromat mund të çojë në çrregullime të ndryshme. Rreth një e treta e tyre kishin reagime negative si ngacmim për kollë, dhimbje koke ose kriza astme”, shpjegon kimistja Silvia Pleschka e DAAB-it.

Sipas OBSH-së, rreth 235 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me astmë bronkiale. Ky numër është vazhdimisht në rritje, ashtu si dhe numri i njerëzve që reagojnë ndaj substanca aromatikeve dhe aromave. Megjithatë nuk është e mundur të thuhet saktësisht se sa njerëz janë të prekur nga efektet negative të substancave aromatike, sipas Pleschka-s.

“Një nga arsyet është se simptomat janë kaq të ndryshme. Ato variojnë nga dhimbja e kokës deri te migrena e rëndë, nga rrahjet e zemrës deri te mosndjerit mirë, nga djersitja te vështirësia në gjetjen e fjalëve dhe nga dëshira për t’u kollur deri te kriza e rrezikshme e astmës. Të gjitha këto pamje klinike kanë një shkas të përbashkët: substancat aromatike”.

Ka vetëm pak studime shkencore për këtë problem, si në Gjermani ashtu edhe në vende të tjera. Një studim australian i vitit 2019 bën përjashtim: ai konstaton efektet e substancave aromatike në trupin tonë dhe arrin në përfundimin se substancat aromatike shumë mirë mund të jenë të dëmshme për shëndetin tonë.

Aroma është në ajër

Nuk është gjithmonë e qartë se cilat substanca aromatike shkaktojnë vështirësi të rënda në frymëmarrje te astmatikët. Ndryshe nga alergjia ndaj polenit, astmatikët nuk mund të testohen për të zbuluar saktësisht se ndaj cilave aroma reagojnë negativisht. Shumë substanca aromatike përdoren në përqendrime shumë të ulëta, saqë mezi perceptohen, por hyjnë në trupin tonë përmes hundës dhe më pas shkaktojnë reaksione atje.

Ajo që krijon një atmosferë të këndshme për disa përfaqëson një rrezik serioz shëndetësor për të tjerët. Mund të jetë parfumi i fqinjit i varur në shkallët ose shkopinjtë aromatikë në tualetet publike. Njerëzit me astmë shpesh janë tepër të ndjeshëm ndaj aromave. Rrugët e frymëmarrjes ngushtohen, duke rezultuar në mungesë ajri.

Komunikimi është i rëndësishëm

Shpesh personat e ndjeshëm ndaj substanca aromatikëve nuk merren seriozisht nga ata që i rrethojnë. “Është e rëndësishme që problemi të trajtohet hapur, si me familjen ashtu edhe me kolegët dhe të informohet për efektet e mundshme,” këshillon Pleschka. Sepse aromat përdoren gjithashtu shpesh në zyra, për shembull për të krijuar një atmosferë të këndshme. Në shumë zona, substancat aromatike përdoren në formën e spërkatjeve të dhomës ose shkopinjve të parfumit. Kështu ndodh edhe në shtëpi.

Por ndërsa mund t’i eliminojmë kryesisht aromat dhe aromat në mjedisin tonë, kjo nuk është e mundur jashtë sferës sonë private. “Informacioni për anën e errët të substancave aromatikeri si dhe respekti për njerëzit e ndjeshëm dhe të pambrojtur janë shumë të rëndësishme këtu”, shpjegon Silvia Pleschka. /DW