Përgjegjësi i Policisë Bashkiake Konispol, Neim Arapi është arrestuar në kushtet e flagrancës nga forcat e rendit. Efektivët e Komisariatit të Sarandës kishin informacione se ky shtetas shiste mallra të kontrabanduara brenda perimetrit të një gjimnazi në Konispol.
Nga verifikimi i produkteve dhe mallrave që 56 vjeçari u shiste nxënësve, ka rezultuar se ato jo vetëm që ishin të kontrabanduara e pa doganë, por u kishte kaluar dhe afati i skadencës.
“Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimit e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë pronarin e dyqanit, shtetasin Neim Arapi, 56 vjeç, banues në Konsipol, me detyrë përgjegjës i Policisë Bashkiake Konispol”, thotë Policia.
Nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas duke përdorur detyrën si përgjegjës i Policisë Bashkiake, kishte ndikuar për të shmangur kontrollet në subjektin ku shiteshin produkte pa faturë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan produkte të ndryshme ushqimore të kontrabanduara dhe të skaduara.
Njoftimi i plotë i Policisë së Sarandës:
Sherbimet e Komisariati të Policisë Sarandë, në zbatim të planit të masave të hartuar në funksion të Paketës së Sigurisë në shkolla, kanë ushtruar kontrolle në afërsi të shkollave, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.
Gjatë kontrolleve, në një subjekt tregtar që ushtronte aktivitetin brenda perimetrit të sigurisë së një shkolle të mesme, në Konispol, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se pronari i këtij subjekti shiste mallra të kontrabanduara, një pjesë e madhe e të cilave përbënin rrezik për shëndetin e nxënësve dhe të qytetarëve të tjerë, sepse iu kishte kaluar afati i konsumimit.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimit e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë pronarin e dyqanit, shtetasin Neim Arapi, 56 vjeç, banues në Konsipol, me detyrë përgjegjës i Policisë Bashkiake Konispol.
Nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas duke përdorur detyrën, ka ndikuar për të shmangur kontrollet në subjektin ku shiteshin produkte pa faturë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan produkte të ndryshme ushqimore të kontrabanduara dhe të skaduara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.