Për herë të parë stoku i borxhit publik në Shqipëri është ulur jo vetëm si përqindje ndaj prodhimit kombëtar, por edhe në vlerë nominale.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, borxhi arriti vlerën e 1 miliard e 75 milion dollarëve, nga 1.065 miliard që ishte në fund të 2017-s.

Ulja e nivelit të borxhit është mbështetur nga dy elementë kryesorë: zgjerimi i ekonomisë dhe mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit, faktor që ka e ushtruar presion më të ulët në buxhet për pagesën e interesave të tij.

Si përqindje ndaj prodhimit kombëtar borxhi ka zbritur në 65.19%, duke shënuar të njëjtat nivele me ato të vitit 2013.

Krahasuar me fundin e 2017-ës ulja është me 4.7 në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Edhe interesat e borxhit në përqindje të stokut total të tij kanë arritur nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit, duke shkuar në 1.43%, nga 5.25 që ishin në 2008-n.

Qeveria ka planifikuar që në fund të këtij viti borxhi të shkojë në 68.6%, por e gjithë kjo kushtëzohet nga shifrat në të cilat do të rritet ekonomia këtë vit. Vetë FMN ka bërë thirrje për zhdukjen e borxheve të fshehta, ku sipas vlerësimit të fundit të saj, arrinin në nivelin e 220 milion dollarëve. /tvklan