Drafti “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ashtuquajtur ligji i fiskalizimit synon që, duke nisur nga data 1 janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Drafti është në fazë konsultimi dhe komentet dhe vërejtjet për të kanë qenë të shumta dhe bizneset kanë kërkuar minimalisht një shtyrje të afatit të zbatimit.

Në komentet që bizneset kanë hartuar për t’ia dërguar Këshillit të Investimeve kanë konstatuar një sërë problemesh në projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”

-Së pari, është Koha dhe mënyra e implementimit. Fatura elektronike në vendet europiane është bërë e detyrueshme fillimisht për marrëdhëniet e biznesit me qeveritë. Më pas, vendet kanë zgjedhur të aplikojnë, fillimisht në mënyrë vullnetare, faturat elektronike, të cilat projektligji i referohet si pa para në dorë (B2B) dhe, si hap i fundit, faturat me para në dorë (B2C). Të njëjtën gjë, bizneset rekomandojnë dhe për Shqipërinë, ku ndryshe nga sa është parashikuar në projektligj, sugjerohet që implementimi për shitjet me para në dorë të jetë hapi i fundit.

-Nuk ka një analizë kosto-përfitim. Relacioni parashikon të shtohet dhënia e një sërë informacionesh dhe deklaratash të reja, si p.sh. vendndodhjet e ushtrimit të veprimtarisë, përfshirë edhe të dhëna të detajuara si orari i punës, ofruesi i internetit etj.; regjistrimin e operatorëve për lëshimin e faturave 24 orë përpara se të fillojë procesi, regjistrimin e prodhuesve dhe mirëmbajtjes së software, regjistrimin e blerjeve të mallrave në import, deklarimi i gjendjes së parave në fillim të ditës në arkë, etj. Bizneset vlerësojnë se të gjitha këto elemente do të vështirësojnë mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri. Biznesit do t’i duhet të shtojë procedura të cilat nuk kanë qenë thelbësore në mbarëvajtjen e aktivitetit dhe që nuk shihet të kenë vlerë të shtuar në procesin e fiskalizimit.

– ankesa ka dhe për kufirin ditor të limitit të arkës. Bizneset gjykojnë që këto nene janë të pazbatueshme për arsyet si më poshtë:

• ka një numër të konsiderueshëm njësish administrative të cilat nuk kanë prani të asnjë dege të vetme bankare në territorin e tyre, çka praktikisht, e bën të pamundur aplikimin e këtyre neneve. Në shumë raste të tjera, fizikisht degët e bankave janë larg vendndodhjes së biznesit duke e bërë të pamundur zbatimin praktik.

• në ligj nuk merren parasysh pagesat që bën me para në dorë biznesi, të cilat janë një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të biznesit.

• limitimet e vendosura do të krijonin kosto të shtuara për bizneset (kosto në kohë fizike, kohë pritje, kosto transporti, kosto të shtuara bankare, risk i shtuar, veprime fiktive depozitimi dhe tërheqje në të njëjtën kohë krejtësisht të panevojshme etj.)

• sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë specifikat/karakteristikat e tyre dhe është e pamundur të përgjithësohen me 3-4 nivele limitesh.

-Neni 18 “Pajisjet fiskale dhe zgjidhja softuerike për zbatimin e procedurës se fiskalizimit”. Shumë tatimpagues, aktualisht kanë në përdorim software për regjistrimin dhe kontabilizimin e çdo veprimi financiar që shoqëria kryen (duke përfshirë fatura shitje dhe blerje). Pajisjet elektronike të faturimit apo zgjidhja e certifikuar softuerike që do të mundësojë lëshimin e faturës elektronike sipas parashikimeve të nenit 18, do të duhet të lidhet dhe integrohet me software që biznesi ka në përdorim.

Referuar përmbajtjes së projektligjit, rezulton se përveç numrit të faturës dhe numrit serial që përmbajnë aktualisht faturat tatimore, do të shtohen edhe numrat NIVF, NSLF dhe kodi QR. Sistemet softuerike që përdorin aktualisht bizneset kanë hapësirë të posaçme për regjistrimin e numrit të faturës dhe të numrit serial dhe nuk japin mundësinë për regjistrimin e numrave dhe/ose kodeve të tjera.

Në këto kushte, duke mos njohur zgjidhjen softuerike që do të aplikohet për lëshimin e faturës elektronike, është e paqartë nëse do të jetë e mundur lidhja dhe integrimi i këtij softueri me sistemet që bizneset kanë në përdorim pa implikuar kosto të konsiderueshme shtesë në ngarkim të subjekteve. Shumë prej ofruesve të shërbimeve për konsumatorët kanë sisteme të komplikuara të menaxhimit të klientëve (CRM) për të cilat modifikimi apo shtesa e moduleve kërkon kohë shumë më të gjatë sesa 2 – 3 muaj që parashikohet në projektligj.

-Regjistrimi i faturave në librin e shitjes dhe librin e blerjes. Referuar rregullimeve të këtij projektligji, rezulton se në platformën qendrore në llogari të tatimpaguesit do të regjistrohen të gjitha faturat e shitjes dhe të blerjes të tatimpaguesit dhe sistemi informatik i administratës tatimore do të gjenerojë një libër shitje dhe një libër blerje. Librat e shitjes dhe të blerjes duhet të shqyrtohen nga tatimpaguesi deri në ditën e 10 të muajit dhe ky i fundit ka të drejtë të bëjë ndryshime ose përditësime, nëse është e nevojshme përpara se të konfirmojë saktësinë e tyre.

I gjithë sistemi i faturimit që propozohet nëpërmjet këtij projektligji dhe procesi i regjistrimit të faturave paraqet paqartësi në lidhje me mënyrën se si subjektet do të pranojnë dhe miratojnë regjistrimin në librin e blerjes të faturës së shitjes që është lëshuar nga një subjekt tjetër tregtar;
Nga ana tjetër, ngarkesa e madhe e librave të shitjes ku do të regjistrohen të gjitha faturat e shitjes edhe në vlera shumë të ulëta që do të lëshohen nga pikat e shitjes me pakicë, e cila sjell për rrjedhojë ngarkesë pune më të madhe për subjektet në momentin e shqyrtimit të librave.
Duke pasuar parasysh, se me këtë sistem nuk do të ketë mundësi manipulimi apo lëshimi faturash pas ditës së fundit të muajit, data 10 mund të shtyhej të paktën deri në datën 20 të muajit pasardhës.

/Monitor