Nën diellin përvëlues të këtij fillim korriku, grupi i arkeologëve dhe studentëve italo-shqiptarë kanë nisur gërmimet në amfiteatrin e Durrësit.

Ekspedita arkeologjike, e nisur një ditë më parë, pritet të përfundojë në fund të këtij muaji, kur do të bëhen publike rezultatet e gërmimeve.

Instituti i Arkeologjisë, së bashku me universitetin e Chieti-Pescara-s, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, prej vitit 2004 organizon ekspedita arkeologjike, të cilat kanë për qëllim të nxjerrin në dritë nga nënshtresat e amfiteatrit të ndërtuar në shekullin II e.s. të tjera dëshmi të trashëgimisë së pasur kulturore të qytetit 3000-vjeçar.

Gërmimet janë të përqendruara në pjesën jugore të monumentit unikal në rajonin e Ballkanit. Ndër vite, ekspeditat arkeologjike kanë zbuluar faza të rëndësishme post-antike dhe struktura të sitit të rëndësishëm arkeologjik.

“DurrësLajm” u takua sot me dy bashkëdrejtueset e këtij projekti, arkeologen Elvana Metalla nga Instituti i Arkeologjisë dhe homologen e saj italiane Sonia Antonelli, nga të cilat mësojmë se gërmimet nisin që herët në mëngjes, për të evituar orët e pikut, kur vapa bëhet e padurueshme.

Ekspedita arkeologjike italo-shqiptare ka qenë e përvitshme në amfiteatër, me përjashtim të vitit 2020, kur, për shkak të pandemisë, grupi i arkeologëve nga Italia nuk erdhi në Durrës.

E ndërsa ekspedita italo-shqiptare shqiptare vijonte pa ndërprerje punën, një grup i madh turistësh të huaj mbërriti në amfiteatër, i cili vijon të mbetet siti i trashëgimisë kulturore më i vizituar në Durrës.

Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj, pohoi në fund të muajit qershor se shifrat e vizitave në sitet arkelogjike dhe historike të qytetit bregdetar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, janë mjaft të mira, pasi regjistrohet një rritje me rreth 40-50% krahasuar me vitin e kaluar.