Një miqësi e lindur gati dy dekada më parë, i solli për herë të parë në Shqipëri. Disa shtetase italiane nga Bergamo ishin këto ditë për një tur tre ditor në vendin tonë, pas ftesës që mikesha e tyre shqiptare u bëri për të vizituar vendin e shqiponjave. Pavarësisht mëdyshjeve të fillimit, përshtypjet ishin shumë të mira.

“Më pëlqeu shumë, Shqipëria ishte një surprizë e bukur. Kisha pak mëdyshje në fillim, sepse jemi mësuar ta mendojmë Shqipërinë si një vend të botës së tretë, por në të vërtetë më surprizoi për mirë. Njerëzit janë shumë të disponueshëm. Tirana më pëlqeu shumë, edhe Vlora. Durrësi sigurisht dhe do të rikthehem. Do të rikthehem jo për një tur kulturor, por për t’u relaksuar këtu”.

“Jeni një popull i mrekullueshëm, pamë vende shumë të bukura. Sigurisht që do të rikthehemi. Tirana është një qytet shumë i bukur, ndërsa Durrësi është një qytet kozmopolit. Janë ndërthurur shumë mirë e vjetra dhe e reja. Erdha në Shqipëri pasi u bëra kurioze nga ajo çfarë më tregonte mikja ime Enkeleda”,- deklarojnë për “DurrësLajm” shtetaset italiane nga Bergamo.

Enkeleda Poda rrëfen se prej vitesh u flet mikeshave të saj për Shqipërinë dhe në të ardhmen ka dëshirë të sjellë italianë të tjerë për ta parë nga afër vendin e saj.

“Kam 30 vite që jetoj në Itali. Pas shumë vitesh u bëra gati që t’i sillja këtu. Kudo ku kanë shkuar kanë mbetur shumë të kënaqura. Kemi shumë dëshirë që të sjellim të tjerë të njohur, sepse u flasim shumë mirë për Shqipërinë”.

Viti i kaluar shënoi shifra rekord të shtetasve italianë, që erdhën në Shqipëri për të kaluar pushimet verore. Mediat folën në atë kohë për “pushtimin” e dytë të vendit tonë, pasi në pak muaj më shumë se 500 mijë italianë vizituan fqinjin e tyre përtej Adriatikut.

Gjatë muajit gusht 2023, në jo pak raste në portin e Durrësit flitej vetëm italisht, pasi numri i shtetasve italianë që përdornin portin më të madh në vend për të udhëtuar u rrit ndjeshëm.

M.B.