Eksportet shqiptare shënuan një rritje të ndjeshme vitin e kaluar, por kjo nuk mjaftoi për të ngushtuar deficitin tregtar të vendit.

Sipas INSTAT, në vitin 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 487 miliardë lekë, duke u rritur me 32% krahasuar me një vit më parë. Por, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 950 miliardë lekë, duke u rritur me 18,7%, krahasuar me një vit më parë. Në këtë mënyrë, deficiti tregtar arriti vlerën 464 miliardë lekë, duke u rritur me 7,3%, krahasuar me vitin 2021.

Grupmallrat që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve gjatë vitit 2022 ishin “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +6,9 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,2 pikë përqindje.

Në 2022 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Itali (35,1%), Kosovë (0,2%) dhe Gjermani (58,6%). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (0,9%).

Ndërkohë, grupmallrat që kanë ndikuar në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,2 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +2,4 pikë përqindje.

Në 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (5,9%), Turqia (33,1%) dhe Kina (18,8%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (10,3%), Rusia (27,3%) dhe Austria (1,1%).

Dhjetor, energjia u dha shtysë eksporteve

Në Dhjetor 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 40 miliardë lekë, duke u rritur me 26,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me -4,5%, në krahasim

me Nëntor 2022. Të dhënat sipas grupmallrave tregojnë se një ndikim të rëndësishëm në rritjen vjetore te eksporteve gjatë dhjetorit ka dhënë energjia elektrike.

Gjatë muajit Dhjetor 2022, në rritjen e eksporteve prej 26,1%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +17,5 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +4,0 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,0 pikë përqindje. Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,5 pikë përqindje.

Në muajin Dhjetor 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Dhjetor 2021 janë: Itali (0,8%), Maqedoni (273,6%) dhe Kosovë (17,5%). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Gjermania (16,5%).

Importet e mallrave arritën vlerën 95 miliardë lekë, duke u rritur me 7,7%, në krahasim me një vit më parë dhe me 22,3%, në krahasim me Nëntor 2022. Gjatë muajit Dhjetor 2022, në rritjen e importeve prej 7,7%, krahasuar me Dhjetor 2021, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 9,6 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,8 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me -2,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,1 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me -0,5 pikë përqindje.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 54 miliardë lekë, duke u ulur me -2,9%, krahasuar me Dhjetor 2021 dhe duke u rritur me 54,2%, në krahasim me Nëntor 2022.

Në muajin Dhjetor 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, janë Zvicra (690,2%), Turqia (2,7%) dhe Kina (43,4%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, në krahasim me Dhjetor 2021 janë: Italia (7,9%), Greqia (25,1%) dhe Kosova (20,0%). /Monitor

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT