Pagesat me kartë shënuan një tjetër rritje të lartë në 3-mujorin e parë të vitit. Sipas statistikave të Banka e Shqipërisë, në tre muaj numri i pagesave me kartë në terminalet POS arriti në 7.58 milionë, në rritje me 30% krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit të kaluar. Për të katërtin 3-mujor radhazi, pagesat me kartë në terminalet POS e kaluan në numër tërheqjen e parasë cash nga bankomatet.
Kjo tregon se përdoruesit e infrastrukturës së sektorit financiar po e përdorin kartën gjithnjë e më pak për veprime me para cash dhe po paguajnë më shumë nëpërmjet kanaleve elektronike. Megjithëse kjo tendencë ndikohet pjesërisht nga turistët e huaj, duket qartë se edhe shqiptarët po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt pagesave elektronike.
Në vlerë, pagesat me kartë në terminalet POS për 3-mujorin e parë të vitit arritën shumën e 27.9 miliardë lekëve, në rritje me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë, në fund të 3-mujorit të parë, arriti shifrën rekord prej 32 224 njësish, në rritje me 28% krahasuar me një vit më parë.
Përveç kërkesës më të lartë të tregut, shtimi i numrit të terminaleve POS është nxitur edhe nga programi promovues i ndërmarrë nga një prej operatorëve më të mëdhenj globalë të pagesave me kartë, Mastercard. Programi i Mastercard-it, nëpërmjet bankave tregtare, ofroi instalimin e pajisjeve POS pa kosto dhe pa komisione transaksionesh për një periudhë fillestare, deri në vlera të caktuara limit.
Gjithashtu, një shtysë e mëtejshme mund të ketë ardhur nga detyrimi ligjor për pajisjen me terminale POS, i cili u miratua në fund të vitit të kaluar.
Nga data 30 maj do të hyjë në fuqi detyrimi i parashikuar në ligjin e ri “Për procedurat tatimore”, që kërkon pajisjen me terminale POS të bizneseve të akomodimit, transportit dhe sektorit publik. Zbatimi i detyrimit ligjor për të pranuar pagesa elektronike alternative pritet t’u japë një shtysë të mëtejshme pagesave me kartë.
Bizneset e tjera do të kenë afat për t’u pajisur me terminale POS deri në fund të vitit 2026.
Ndërkohë, numri i kartave bankare aktive të lëshuara nga sektori bankar shqiptar arriti në 1.66 milionë, në rritje me 7.8% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.47 milionë, në rritje vjetore me 8.7%. Ky produkt mbetet dominues dhe përbën më shumë se 88% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Ndërkohë, një rritjeje të lehtë i është rikthyer edhe segmenti më i vogël, ai i kartave të kreditit. Në fund të 3-mujorit të parë të vitit, sektori bankar raportonte pothuajse 120 mijë karta krediti aktive, me një rritje vjetore prej 2%.





