Intensifikohen kontrollet dhe goditjet ndaj veprimtarisë kriminale të furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Goditet një tjetër rast i furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta, sekuestrohen mbi 1 kg heroinë. Vihen në pranga 2 shtetas, konkretisht Gëzim Muhameti dhe Zhuljan Prençi.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve finalizoi me sukses fazën e tretë të operacionit policor të koduar “Zonat”, duke goditur një tjetër rast të furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta.

Si rezultat i kësaj faze të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit Gëzim Muhameti, 51 vjeç, banues në Tiranë, dhe Zhuljan Prenci, 35 vjeç, banues në Gjirokastër.

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe pas një pune hetimore e operacionale të mirëorganizuar, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas, në rrugën “Prokop Mina”.

Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 kg e 71 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas do të furnizonin shtetas të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në zonën e Tiranës së Re.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.