Një i ri shqiptar është zhdukur pa gjurmë që prej së shtunës së shkuar në Paisley të Skocisë. Policia vendase bën apel për ndihmë për gjurmimin e 31-vjeçarit Iren Muça.
Mediat vendase shkruajnë se Muça flet pak anglisht. Ai po qëndronte në Paisley dhe u pa për herë të fundit në rrugën “Christie” rreth orës 02.30, të shtunën e 4 korrikut.
Rreshteri Megan Bryson, Stacioni Policor Paisley, tha: “Iren është i ri në Paisley dhe nuk e njeh aspak zonën. Me sa jemi në dijeni, ai nuk ka pasur kontakte me askënd në zonë që kur është parë për herë të fundit. Ne besojmë se ai ka një sasi të vogël parash me vete dhe një telefon celular. Oficerët aktualisht po kontrollojnë kamerat e sigurisë në zonë për ta gjurmuar atë dhe po punojnë me ofruesit e transportit lokal, në përpjekje për ta gjurmuar atë. Kushdo që e di se ku është Iren ose që ka ndonjë informacion që do t’i ndihmojë oficerët në gjetjen e tij, mund të telefonojnë Zyrën e Policisë Paisley”.