Një tjetër arrestim i një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht është realizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 28”. Gjatë 24 orëve të fundit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht Ilir Zotaj, alias Zio Bushi, një 44-vjeçar nga Tirana, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Zotaj ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Peruxhias në Itali me 5 vjet, 6 muaj e 17 ditë burgim për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Ai dyshohet të ketë qenë pjesë e një organizate kriminale shqiptare që ka organizuar dhe financuar trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, nga Belgjika në Itali, gjatë periudhës 2008-2010.
Në këtë periudhë, janë sekuestruar rreth 10.4 kg kokainë të trafikuara nga kjo organizatë. Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për të përfunduar procedurën e ekstradimit të Zotajt në Itali.
Njoftimi:
Një tjetër shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht u vu në pranga gjatë 24 orëve të fundit, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 28”.
Lokalizohet, kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, një 44-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale kanë organizuar dhe finalizuar një tjetër operacion, gjatë 24 orëve të fundit.
Në kuadër të operacionit “Operacionalja 28”, u lokalizua në Tiranë dhe u arrestua provizorisht shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Ilir Zotaj alias Zio Bushi, 44 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Apelit e Peruxhias, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet, 6 muaj e 17 ditë burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Ky shtetas dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale që përbëhej nga shtetas shqiptarë, e cila ka organizuar dhe financuar trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht nga Belgjika në Itali.
Gjatë periudhës dhjetor 2008 – mars 2010, janë sekuestruar rreth 10.4 kg lëndë narkotike kokainë e trafikuar nga kjo organizatë, në disa qytete të Italisë, në Belgjikë dhe në Shqipëri. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën e ekstradimit të këtij shtetasi, në Itali.