Një 25-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në Tiranë. Arrestimi i të riut, Rei Sako ka ardhur pasi ai trafikonte me postë nga Tajlanda në Shqipëri lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC. 

Policia bën me dije se i riu u kap në flagrancë me një pako me 2 kilogramë kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga Tajlanda. Nga ky operacion janë sekuestruar 2 kilogramë kanabis me përqindje të lartë THC me vlerë 40 000 euro, shuma parash, celularë, sende me vlerë dhe prova të tjera të vlefshme të hetimin.

Njoftimi i plotë:

Tiranë/Finalizohet një tjetër operacion kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar. Operacioni i koduar “Destinacioni 4”, vihet në pranga një 25-vjeçar që trafikonte nga Tajlanda në Shqipëri, lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC. Sekuestrohen 2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, me vlerë 40 000 euro, shuma parash, celularë, sende me vlerë dhe prova të tjera të vlefshme të hetimin.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar një tjetër operacion kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 4”, u arrestua shtetasi R. S., 25 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se trafikonte lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, me një pako me 2 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga Tajlanda. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.