Nga BUJAR QESJA

Temat e shkrimeve kanë zënë rradhën e tyre dhe presin autorin ti prezantoj “step by step”. Në këtë fazë të jetës, qenka e thënë të mos i dorëzoj “armët”, pasi kemi shumë arsyje për ta bërë këtë. Stazhi i vjetër jo vetëm në përvojën e letrave, por edhe i të qënurit dëshmitarë i shumë zhvillimeve të të gjitha fushave në Durrës, në këtë vendlindjen time të bekuar, e kanë bërë autorin e këtyre rradhëve të nxitoj, për të mos u vonuar në shpalosjen e tyre. Janë dukuri, personazhe që kanë dhënë dhe jo vetëm që s’kanë marrë dhe as kanë menduar për t’ua njohur “borxhin”, por që kanë një kërkesë të vetme: të mos harrohen. Dhe lapsi im, i një të “djeguri” për historinë e qytetit të tij, kërkon të vrapojë e jo më të nxitojë, të thotë se cilët janë ato që janë munduar shumë, lodhur shumë, përpjekur shumë, që mbeten të urtë, të qetë por disi të munduar për mos shpalosjen e tyre.
Enver Mysja! Nuk jam ndalur ndonjëherë tek ai. As më ka thënë dhe as jam bërë mbarë. Erdhi këto ditë dhe më takoi. Përsëri nuk më tha asgjë, aq më shumë tani që është ndarë nga Durrësi i tij prej 27 vitesh. Por erdhi me shumë mall dhe u nda prej meje me lot në sy. Së bashku me familjen jeton në Nashville të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E shoqja Lumturia punon. Vajza Luena është ekonomiste në bankë. Djali Axel është në një farmaci biologjike. E Veri mbetet në një tërheqje të lehtë, pas një “rraskapitje” tejet të gjatë në shërbim të sportit.
Kisha pak më shumë se tre dhjetvjeçarë, që nuk e kisha parë dhe se si m’u duk kur u takuam. Bëra një bisedë të shkurtër me të, për të kujtuar disa gjëra që janë vendosur në historinë shqiptare të sportit të shtizës. Dhe në muzeun e këtij sporti, qendron dhe do të qendrojë i gjallë një emër dhe një mbiemër. Dhe ky është Enver Mysja. Ai nuk kërkon dekorata, ndonëse i meriton. Ai nuk kërkon ndere, ndonëse edhe këto i meriton. Por fjala e mirë është detyrim. Dhe këtë do të përpiqem ta shlyej në këto rradhë.
I datëlindjes mars 1953, Ver Mysja u rrit me dëshirën për të bërë sport. Provoi futbollin dhe si çdo vogëlush u përpoq të luajë në të gjitha vëndet. E nisi me portën dhe doli në sulm. Por nuk ngjiti këtu. “Dashuria” e parë nisi me shtizën. Nuk doli kampion, por ishte ndër më të mirët. Pastaj u “hodh” në 10-të garëshin sportiv. Më bën përshtypje performanca universale i këtij atleti energjik. Ushtroi 10 disiplina sportive brenda një garimi. Sakrificë, luftë nervash, disiplinim emocionesh, i përgatitur për të bërë 10 sfida njëherazi.
Enver Mysja e filloi jetën si punëtor, por ruajti gjithnjë kostumin e një sportisti të lindur. Kreu edhe shërbimin ushtarak. Kurrë nuk ia shtruan rrugën me qilim, por përkundrazi. Por nuk u tërhoq. Kishte një merak për ta thërritur në grupin e “Partizanit”, pasi ishte klub i privilegjuar nga shteti i kohës. Por edhe kjo nuk ndodhi. Enver Mysja gjithnjë e më shumë po kuptonte, se ishte ai dhe vetëm ai që do të përpiqej në këtë sport të jetës, krej i vetëm. Kishte disa favore, që do të mbeteshin aleatët e tij kryesorë, që nuk do ta “tradhëtonin” asnjëherë. Këto ishin: pasioni dhe vullneti i jashtëzakonshëm për të qendruar, sfiduar dhe përballuar çdo gjë që do të quhej vështirësi.
Filloi dhe mbaroi shkollën e lartë për edukimin fizik. Në vitin 1986 vjen të punoj në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia”. Dhe këtu ai çfaqet i plotë. “Mushkëritë” e tij sportivë, kërkonin oksigjenin e mbështetjes, duke u vunë në lëvizje nga puna e jashtëzakonshme, e lodhshme, por që do të vinte dita që do të merrte shpërblimin që i takonte. Ai do të ishte në të drejtën e Zotit, kur nisi të punojë me një grup atletesh dhe pikas për herë të parë një vajzë 9-10 vjeçare, që stërvitej në vrapime, me të jatin atlet.
Intuinta e tij ishte e rrallë. Stërviste në vrapime dhe në hedhje nxënëset sportiste të shkollës dhe kontrollonte tërë punën që bëhej me vrapimet në stadium. Aftësia e tij, mjeshtria e tij, dhuntia që ia kishte dhënë Zoti që në lindje, bëri që Enver Mysja, krejt vullnetarisht, pa menduar për të marrë qoftë edhe një kacidhe të vetme, vendos t’i bëj një propozim babait të vajzës.
-E kam ndjekur vajzën tuaj Kujtim, prej disa ditësh. Natyrisht ajo është ende e vogël, por gjykoj se ka të dhëna për t’u bërë sportiste. Ma jep ta përgatis për shtizë. Do të bëj ç’është e mundur, që të përparojë në këtë disiplinë.
Serioziteti, korrektesa dhe profesionalizmi i Enver Mysjes, ishin bërë të njohura. Dhe kjo vogëlushe quhej Mirela Manjani. Koha tregoi, se sa të drejtë kishte patur Enver Mysja. Çfarë syri mjeshtëror do të demostronte dhe në çfarë nivelesh testohej aftësia e tij. Atletet e tjera u xhelozuan pak, pasi e ndjenë dhe e prekën, se një pjesë e kohës së Enver Mysjes do t’i takonte edhe Mirela Manjanit. Absolutisht që mund të hiperbolizojmë punën e këtij trajneri, pasi në valle më pas u përfshinë mjaft specialistë, por Enver Mysja mbetet i vetmi që e zbuloi, punoi dhe e armatosi me besimin e një sportiste të madhe, kampionen e ardhshme të botës dhe të Europës Mirela Manjanin.
Mysja e kishte nxjerrë një kampione kombëtarë shtize. Ajo kishte ardhë nga FushKuqja e Krujës, në vendin që nxorri edhe atleten e famshme, “Mjeshtren e Madhe” Marinda Preka. Kjo është Vojsava Lika, një “dragua” në hedhjen e shtizës. Pas emigrimit në Greqi, Vojsava Lika do të dilte kampione e Greqisë, duke arritur rezultatin më të bujshëm, vendi i pestë në kampionatin botëror organizuar në Osaka të Japonisë në vitin 2007. Shtiza e saj u ndal në kufirin e 63.13 m. Merita për këtë është e trajnerit tashmë të njohur dhe të sprovuar Enver Mysja. Niveli i punës së tij, konkuronte kolegë të njohur në botën e zhvilluar të atletikës botërore.
Dhe puna e Enver Mysjes me Mirela Manjanin, është nga faqet më të përkryera të atletikës shqiptare. Punoi me Mirelën 7 vite, aq sa e bëri të njohur në nivele ballkanike dhe europiane. Enver Mysja kishte në ditaret e tij të punës, të gjitha rekordet europiane dhe botërore të moshave në hedhjen e shtizës dhe parashikonte që në këtë stad ecurinë në përmasa uragani të Mirela Manjanit. Ç’ka projektonte Enver Mysja pas çdo gare, pas çdo përfaqësimi ajo edhe bëhej.
Ai e zbuloi, e projektoi dhe vuri në zbatim duke besuar shumë tek aftësitë, se Mirela Manjani do të ecte në shina të sigurta, ku treni i kësaj pune, do të shkonte me shpejtësi drejt destinacioneve të rekordeve dhe titujve kampionë. 15 vjeçare Manjani medalje e bronzit në garat e Brukselit. 18 vjeçare kampione e Ballkanit. 23 vjeç kampione e botës në Sevilje Spanjë. Mirela Manjani e Enver Mysjes ka edhe tani të pathyera rekordet kombëtare 13-15 vjeç, 15-16 vjeç dhe 18-19 vjeç. Kampione e Europës 26 vjeç në Mynih. Hedhja më emirë është 67.47 m.
A ka të drejtë të gëzohet Enver Mysja? Sigurisht që po. Ai gëzohet, por nuk mburret. E ka bërë historinë e tij deri këtu, por ai nuk bërtet për këtë, se sa mallëngjehet se i dha sportit shqiptar emra të mëdhenj deri në kampione të niveleve më të larta, të pa arritura asnjëherë më parë.
Por që të thuhet dhe shkruhet kjo, sigurisht është e moralshme për ta bërë. Për të qenë i sinqertë Enver Mysja nuk më tha asgjë, duke ruajtur një modesti që më preku. Veçse loti i nxehtëi Enver Mysjes në fytyrën time, ende nuk është tharë dhe që flet shumë më shumë, se këto rradhë për të.
Enver Mysja mbetet ende një punëtor i madh, një kuadër aktiv i kulturës sportive, me një vullnet dhe dëshirë të tejskajshme si në rininë e tij dhe këtë po e tregon edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëri një shkollë të dytë të lartë dhe u emërua mësues i edukimit fizik në një nga kolegjet e njohura të Bostonit. Krahas këtij detyrimi, nuk hoqi dorë nga puna me atletët e rinj, duke stërvitur mosha të reja në disiplina të ndryshme vrapimi. Kështu për 25 vite rresht. Enver Mysja na e ka zbardhur faqen, ashtu si dikur kur “prodhoi” dy hedhëset më të mira të shtizës shqiptare, në nivele nga më të lartat ndërkombëtare.
Po i ofohet të 70-ve dhe Enver Mysja, e kërkon ta kujtojë të kaluarën. Është një e kaluar që gjthnjë mbetet një llambë ndezëse, duke ndriçuar fuqishëm punën e jashtëzakonshme të kryer me atletikën. Një punë që meriton të nderohet, në kufjtë e respektit dhe mirënjohjes.
Dhe ky shkrim këtë kërkon të bëj. Enver Mysja është rikthyer sërish në Amerikë, në tokën që prej 25 vitesh ka ndërtuar kataninë e tij. Por në Durrës dhe në Shqipëri, ka lënë vlagat e një pune të paharruar.
Durrës: 14 qershor 2022