Tirane, 30 nentor 2013 – Megjithëse prej shumë vitesh në ekran me spektaklet e humorit, në prezantim apo edhe me këngë, Ermal Mamaqi duket se nuk do t'i mërzitet kurrë publikut shqiptar. Njerëzit nuk velen kurrë prej tij, madje përkundrazi duan ta shohin gjithmonë e më shpesh. Kjo është edhe një nga arsyet pse ai u prit me shumë dashuri si prezantues i festivalit "Kënga Magjike" dhe nuk zhgënjeu as këtë herë. Ermali na tregoi se i kishte thënë menjëherë "Po" Arditit, ende pa ia bërë pyetjen. Ai na tregoi edhe të preferuarit e tij në një intervistë që, si çdo gjë tjetër që bën Ermali, ka brenda humorin. 
Si po ndihesh në prezantimin e "Kënga Magjike"? 
Mirë, çka, jo keq… 
Si të erdhi propozimi për këtë rol? 
Arditi më mori një ditë në telefon dhe më pyeti: "A do këndosh sivjet te 'Kënga Magjike'?". Unë i thashë që nuk kisha në plan dhe ai m'u përgjigj: "Atëherë ti duhet patjetër që të vish të prezantosh me mua. Përgjigjja ime ishte "të kam thënë 'Po' që kur m'i re telefonit". 
Si është Ervin Bejleri si partner në prezantim? 
Të them të drejtën, për Ervinin kam qenë unë iniciator dhe e kam kërkuar unë këtë emër. 
Pse zgjodhe pikërisht Ervinin? 
Pas shumë emrash që u diskutuan, ishte ai me të cilin e dija që do të ndihesha shumë mirë. 
Po pse nuk zgjodhe Julian Dedën ose Gent Zenelajn për shembull? 
Sepse të dy ishin të zënë me emisione të ndryshme. 
Po të ishin të lirë, do të doje të prezantoje me ta? 
Sigurisht që do të doja, pasi me të dy kam dhjetë vite që punoj. 
Në këtë rast Ervini ishte zgjidhja optimale. 
Si u prit prezantimi juaj në publik? 
Neve na pëlqeu shumë pritja që na bëri publiku, pra niveli i publikut, i cili e kuptoi humorin e hollë që bëmë ne, ose më saktë që bëri dora e Dalina Buzit. 
Po Ami, çfarë të tha? 
I pëlqeva shumë, po më bëri disa vërejtje për qëndrimin, të cilat do t'i rregulloj në finale. 
Të tha që të mbash shpinën më drejt? 
Po, diçka e tillë. Por kjo është pjesë e imja, kështu që… 
Gjatë prezantimit, sa bazohesh tek skenari e sa improvizon? 
Jam shumë i orientuar drejt tekstit të Dalinës dhe po bëj maksimumin që të mos dal jashtë tij. 
E ke problem të thuash në skenë fjalët që përgatisin të tjerët? 
Jo, në këtë rast ka ndodhur e kundërta. Më pëlqen shumë që të vendos fjalët e mia mbi tekstin e Dalinës. Siç duket ajo ma njeh shumë mirë mendjen dhe batutat e mia i shkruan tamam për mua. 
Si janë raportet e tua me këngëtarët që konkurrojnë? 
Unë pothuajse të gjithë i kam miq. Më duhet të them që më kanë pëlqyer shumë këngët e grupit "The Code" dhe të Endrit e Stefit. 
Kush do të doje që ta fitonte sivjet "Kënga Magjike"? 
Ose "The Code" ose Endri e Stefi. 
Çfarë do bësh pas mbarimit të "Kënga Magjike"? 
Pas "Këngës Magjike" do shkoj të hekuros (qesh). 

/ Bluetooth /