Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka shpallur listën me emrat e 24 lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të “Euro 2025” kundër Rumanisë dhe Malit të Zi në transfertë. 

Dhjetë lojtarë vijnë nga klubet e kampionatit shqiptar, kurse pjesa tjetër aktivizohen në kampionatet jashtë vendit. 

Nga Teuta, trajneri Bushi ka grumbulluar portierin Endri Dema, i cili po bën paraqitje mjaft të mira në Superiore.

Në listën e U21 ka edhe risi, pasi për herë të parë janë ftuar portierin Renato Beqaj nga skuadra e Bylisit dhe sulmuesin Ermir Rashica nga Skënderbeu.

Kombëtarja U-21 luan më 17 nëntor ndeshjen e pestë në grupin E ndaj Rumanisë (ora 19:30, Superbet Arena – Giulesti), ndërsa më 21 nëntor kuqezinjtë do të luajnë në transfertë kundër Malit të Zi, në stadiumin “Podgorica City Stadium”, duke filluar nga ora 15:00.

Shpresa do të grumbullohet me datë 12 nëntor në Durrës dhe me datë 16 nëntor do të udhëtojë drejt Rumanisë, aty ku më datë 17 do të luajë ndaj vendasve ndeshjen zyrtare. 

Më pas ekipi do të kthehet në Shqipëri për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e dytë ndaj Malit të Zi. 

Kuqezinjtë do të qëndrojnë në Durrës deri më datë 19 nëntor dhe më pas do të udhëtojnë drejt Malit të Zi, aty ku do të zhvillojnë ndeshjen e gjashtë kualifikuese ndaj Malit të Zi U-21.

Shqipëria U-21 kryeson Grupin E me 9 pikë pas 4 ndeshjesh, ndjek Zvicra dhe Rumania me nga 7 dhe 6 pikë, por me një ndeshje më pak.