Kombëtarja U-19 për vajza mposhti Lihtenshtejnin me rezultatin 7-0, ndeshje e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2024.

Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, vajzat kuqezi triumfuan me golat e Klaudia Borcit (2), Klesta Agos, Xhesika Ndojt, Era Methoxhës, Rosela Vasës e Rexhina Maxhalakut.

Vajzat kuqezi dominuan në këtë ndeshje. Klaudia Borci dërgon një top në portën kundërshtare në minutën e 18-të, por arbitri anulon golin për pozicion të parregullt. 

Në minuten e 32-të, Borci nuk gabon, por driblon shumë mirë dhe e çon topin në rrjetë, duke kaluar Shqipërinë në epërsi. 

45 minutat e para mbyllen me rezultatin 1-0, teksa fraksioni i dytë nis me një ndryshim në formacionin kuqezi. Çinaj lë fushën dhe vendin e saj e zë Era Methoxha. 

Katër minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Klesta Ago dyfishon shifrat për Shqipërinë, pas një pasimi nga e djathta, duke e çuar topin në rrjetë. 

Në minutën e 51-të, Klaudia Borci shënon edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Shqipërinë, pas asistit të dhënë nga Vesa Paçarizi.

Nuk ndalojnë këtu vajzat kuqezi, që gjejnë rrjetën e katërt në minutën e 56-të me Xhesika Ndojn. 

Era Methoxha dërgon në zonë një top mjaft të mirë, me Ndojn që përfiton dhe i çon shifrat në 4-0, ndërsa në minutën e 67-të, Era Methoxha gjen rrjetën e pestë për Shqipërinë, pasi përfiton nga gabimi i kundërshtareve. 

Rosela Vasa shënon golin e gjashtë pas një super goditje nga jashtë zone, teksa Rexhina Maxhalaku realizon edhe golin e shtatë për ekipin kuqezi në minutën e 85-të. 

Mbyllet me rezultatin 7-0 ndeshja e dytë e Shqipërisë U-19 për vajza ndaj Lihtenshtejnit, e luajtur pasditen e sotme në ‘Elbasan Arena’. Në takimin tjetër të kësaj të shtune, Skocia mposhti Qipron me shifrat 2-0. 

Të martën do të luhen edhe ndeshjet e fundit të grupit, me Shqipërinë që do të përballet me Skocinë, në sfidën që do të përcaktojë edhe vendin e parë në grup.

Trajneri i Shqipërisë U-19, Kreshnik Krepi hodhi në fushë këtë formacion: Amelia Mone (GK), Rexhina Maxhalaku, Rosela Vasa, Gelda Kadiolli, Vesa Paçarizi, Xhesika Ndoj, Arlinda Kodra (C), Klesta Ago, Alesia Cinaj, Stacey Qosja, Klaudia Borci.