Agjencitë e ndërhyrjes policore nga 27 vende, përfshirë Shqipërinë e Kosovën morën pjesë në fazën e 13-të të operacionit In Our Sites. Ky operacion i koordinuar nga Europol synon fshirjen e faqeve të internetit që ofrojnë mallra të falsifikuara ose që janë të përfshira në piraterinë online.

Të dhënat nga operacioni i zhvilluar nga 1 maji deri më 14 nëntor tregojnë që më shumë mallra të falsifikuara po grumbullohen brenda Bashkimit Europian dhe krimi ndaj pronës intelektuale lidhet ngushtë me krimin e organizuar.

Përgjatë operacionit, janë lëshuar 10 mandate kërkimi dhe 14 persona janë arrestuar ose akuzuar për krim intelektual ndaj pronës. Në një prej aksioneve, policia spanjolle arrestoi 4 persona dhe një u dënua ligjërisht. Nga rezultatet paraprake, i dyshuari kryesor po fitonte rreth 150.000 Euro në muaj dhe bënte një jetë të rehatshme në një shtëpi luksoze, posedonte makina të shtrenjta dhe shkonte në pushime ekstravagante.

Rrjeti kriminal merrej me marketing në një shkallë të gjerë dhe shpërndarjen e përmbajtjeve audiovizive pirate në internet. Si rezultat i operacionit, policia spanjolle shkëputi 32 serverë që shpërndanin përmbajtjen e palejuar dhe sekuestroi para, dokumente dhe dy makina të shtrenjta.

Në ditën e së Hënës Kibernetike (Cyber Monday), janë fshirë 12 526 faqe interneti, shkëputur 32 serverë të përdorur për shpërndarjen e përmbajtjeve të paligjshme për 2294 kanale televizive dhe janë mbyllur 15 dyqane online që shesin mallra të falsifikuara në faqe rrjetesh sociale.

Fizikisht janë sekuestruar 127.365 artikuj kontrabandë si veshje, ora, këpucë, aksesorë, parfume, pajisje elektronike dhe kasa celularësh, me vlerë totale mbi 3.8 milionë Euro.

Shtetet që morën pjesë në operacion janë Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Brazili, Kolumbia, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjeorgjia, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Kosova, Lituani, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Portugalia, Rumania, Sllovenia, Spanja, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA.