Familja e efektivit të Policisë Rrugore, Azbi Spahiu, i cili dyshohet se u hodh nga lartësia e një pallati në kryeqytet, ka reaguar në lidhje me hamendësimet në rrjet se ndaj tij është bërë presion për të fshehur të vërtetën rreth një aksidenti ku i përfshirë ishte djali i një biznesmeni në Tiranë. Sipas deklaratës publike të shpërndarë për mediat, familja shprehet se gjendja shëndetësore e 57-vjeçarit po përmirësohet dhe se e vlerëson mbështetjen e gjithkujt, por po ashtu thekson se nuk duhen bërë aludime të pabaza.
“Kjo vëmendje e tepërt dhe aludimet e pavërteta nuk ndihmojnë, përkundrazi, na e rëndojnë situatën. Për këtë arsye, ju lutemi të gjithëve që ta respektojnë privatësinë tonë dhe të mos merren me spekulime me çështjet personale, që as i di njeri e as ka pse t’i dijë.”
Familja Spahiu sqaron se situata është personale dhe nuk lidhet aspak me detyrën, prandaj kërkon respektimin e privatësisë.
“Për të gjithë ata që janë shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e Azbiut, dëshirojmë të konfirmojmë se kjo është një situatë personale dhe nuk lidhet aspak me ndonjë presion për shkak të detyrës nga eprorë, kolegë, qytetarë apo biznesmenë, siç është aluduar në disa raste. Siç na kanë këshilluar edhe mjekët, ajo që i duhet më shumë tani Azbiut është qetësia. E vlerësojmë shumë interesimin dhe mbështetjen e gjithkujt, por kërkojmë mirëkuptim që asnjë veprim të mos ndërmerret në emrin tonë, sepse nuk na ndihmon”, përfundon reagimi.