Kisha Katolike fillon javën e saj më të ngarkuar të vitit e cila përkon edhe me kremtimin e Pashkëve. Por këtë herë në Romë, vëmendja është e përqëndruar te Papa Françesku.

Mjekët i kanë këshilluar Papës dy muaj pushim për të lejuar që ai të shërohet plotësisht, që do të thotë se ai mund të kalojë shumë ose të gjithë Javën e Shenjtë jashtë syve të publikut.

Papa do të kryesonte normalisht të paktën tetë ceremonitë e Vatikanit gjatë Javës së Shenjtë, duke kulmuar në Meshën e së Dielës së Pashkëve, kur dhjetëra mijëra njerëz dynden në Sheshin e Shën Pjetrit për të festuar.

Zyrtarët e Vatikanit janë ende të pasigurt nëse Papa Françesku mund të përpiqet të bëjë paraqitje të shkurtra ose të marrë pjesë në disa nga ngjarjet përmes video konferencës. Bruce Morrill, një prift dhe akademik në Universitetin Vanderbilt në SHBA, shprehet se njerëzit do të marrin forcë dhe frymëzim të një lloji tjetër me praninë e kufizuar të Papës në shërbimet e Javës së Shenjtë të këtij viti.

Kalendari i Javës së Shenjtë të Vatikanit përfshin festime të veçanta më 17 prill për të enjten e Madhe, që përkujton Darkën e Fundit të Jezusit; më 18 prill për të premten e Madhe, ditën kur të krishterët shënojnë kryqëzimin e Jezusit; dhe më 19 prill për një shërbim kishtar në mbrëmje të Pashkëve.

Vatikani ende nuk ka thënë se kush do të drejtojë çdo shërbim. Zyrtarët presin që kardinalët e lartë të plotësojnë vendin e Papës sipas nevojës. Bekimin të quajtur “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe botën) Papa zakonisht e jep gjithnjë për të dënuar konfliktet e vazhdueshme botërore, por këtë vit mbetet e paqartë nëse ai do të ketë mundësi fizike ta japë sërish.

Papa Françesku është shfaqur në publik vetëm një herë që kur doli nga spitali më 23 mars pas një qëndrimi 38-ditor, si dhe bëri një paraqitje të shkurtër dhe surprizë duke përshëndetur njerëzit në Vatikan më 6 prill.