Mbrëmjen e të premtes në odeonin e pallatit të kulturës “Nikolin Xhoja” këngëtarja Fjoralba Turku i rezervoi artdashësve durrsakë një koncert jazz. Turku, një emër i njohur tashmë në Gjermani, ku jeton prej rreth 20 vitesh, erdhi për herë të parë për të performuar para publikut shqiptar. Turi 3-ditor i saj nëpër Shqipëri u mundësua nga ambasada gjermane, në kuadër të muajit të kulturës gjermane. Pas ndalesës në Tiranë dhe Elbasan stacioni i rradhës për Fjoralbën ishte vendlindja e saj, Durrësi.

E kënaqur që më në fund performonte para publikut të saj dhe e emocionuar njëkohësisht Turku falenderoi në rradhë të parë të pranishmit që ndodheshin në sallë për ta ndjekur. Në këtë tur ajo shoqërohej nga trioja e saj, në përbërje të të cilës ishin muzikantë të huaj; në bateri Fabian Rosch, në kontrabas Sava Medan dhe në piano Rainer Bohm. Kjo mbrëmje për të ishte një natë speciale, sepse pas koncerteve të shumta të mbajtura në perëndim, erdhi dita që të performonte edhe para bashkëqytetarëve të saj.

E larguar nga Shqipëria kur ishte vetëm 9 vjeçe ajo nuk i harroi rrënjët e saj dhe muzikën shqiptare. Siç u shpreh dhe vetë ky koncert afroi dy pjesë të jetës së saj, Gjermaninë dhe Shqipërinë. Programi i këtij koncerti u hap me këngën “Si t’ja bëj moj xhane”, mjaft e preferuar prej Fjoralbës dhe babait të saj, violinist i njohur.  Më pas koncerti vijoi me “There be none of beauty’s daughters”, këngë e kompozuar nga vetë Fjoralba. “Take it on me”, “Ode to Mal/Seagulls of Kristiansund”, e kompozuar nga Mal Waldron, ishin të tjera këngë me të cilat Fjoralba arriti të prekte publikun.

Por asnjë këngë më shumë sesa këngët shqiptare nuk arrin të bëjë për vete artdashësit. E kjo u duk më së miri, kur Fjoralba nisi të këndojë “Valsin e Lumturisë apo “Si na u shfaq kjo dashuri”, ritmin e të cilave e ndoqi edhe publiku në sallë. Gjatë gjithë kohës që zgjati koncerti Fjoralba ishte e emocionuar dhe me sy të përlotur. Me zërin e saj imitonte këngën e zogjve, fëshfërimën e erës duke treguar kështu se i meritonte fjalët e mira të thëna për të në mediat ndërkombëtare nga kritikë dhe kompozitorë të huaj.

Ardhja e saj në Shqipëri dhe organizimi i tre koncerteve recitale në qytete të ndryshme të vendit u bë i mundur edhe falë përkushtimit të Aida Himçit, gruas që për dy muaj me rradhë mbajti kontaktet mes Fjoralbës dhe ambasadës gjermane në Shqipëri. Në përfundim të koncertit Fjoralba i bëri një ftesë publikut: “Nëse ju kemi pëlqyer me muzikën tonë, atëherë duhet të na ftoni të kthehemi sërisht këtu”.