NGA Dr. Bledar Kurti

Kryevepra “Kryqëzimi” (1501) e mjeshtrit të Rilindjes italiane Michele da Verona (1470-1544) e cila gjendet në muzeun Pinacoteca di Brera në Milano, ka një rëndësi të veçantë artistike por edhe historike mbi shqiptarinë. 
 
Vepra është e bazuar mbi ngjarjen e kryqëzimit të Krishtit siç përshkruhet në Bibël, por, në të djathtë të Krishtit të kryqëzuar valëvitet flamuri kuq e zi i Gjergj Kastriotit, me shqiponjën dy krenare. 

Siç dihet ndër dy mijëvjeçarë ngjarja ndodhi në Golgotë (hebraisht për Kafkë), në dalje të Jeruzalemit, ku Krishti u kryqëzua me dy vjedhës në krahë të tij, dhe flamuri i Kastriotit nuk ishte formësuar ende, kësisoj përfshirja e flamurit kuq e zi me shqipen dykrenare është element simbolik e jo historik, pavarësisht spekullimeve që është simbol pagan para erës së re, e për më tepër dallohet lehtësisht që peizazhi ose sfondi i veprës përbëhet nga kodrat e Veronës e jo Jeruzalemit. Ndaj shtrohet pyetja përse ky homazh i artistit për Arbërinë?
 
Mjeshtri Michele di Verona e pikturoi flamurin arbëror si homazh për qëndresën heroike të shqiptarëve ndaj ushtrisë otomane, figurës madhështore të Gjergj Kastriotit, të cilin Evropa e konsideronte Kalorës të Krishtërimit, dhe në veçanti të ngjarjes së 25 prillit 1479, të martirizimit të banorëve të Shkodrës gjatë rrethimit të qytetit nga ushtria otomane.
 
Beteja për pushtimin e Shkodrës rezultoi në barbarizëm pasi shumë njerëz u vranë e u sakatuan në mënyrë çnjerëzore. Ata u torturuan e iu pre koka njësoj siç kish ndodhur më parë me luftëtarët arbër dhe njerëzit e thjeshtë në Krujë, Lezhë, Drisht dhe në afërsi të Durrësit.
 
Ata banorë të Shkodrës të cilët arritën të mbijetonin u shpërngulën në Venedik ku rrëfyen tragjedinë që kishin përjetuar, duke prekur kështu zemrat e banorëve venedikas, ndër ta edhe shumë prej artistëve, përfshirë edhe Michele da Verona i cili në atë kohë ishte fëmijë nëntë a dhjetë vjeçar, por ajo histori tragjike e shoqëroi gjatë të gjithë jetës duke e përjetësuar kështu në kryeveprat që do krijonte më vonë.

Siç shihet në tablo, flamuri i Kastriotit zë vend të rëndësishëm në kompozim, dhe e kuqja flakëron në sytë e shikuesit duke simbolizuar edhe vetë gjakun e Krishtit.

Por pozicionimi i flamurit përbri njërit prej vjedhësve që u kryqëzuan bashkë me Krishtin është tejet domethënës pasi ndodhet te vjedhësi në të djathtë të Krishtit, ai i cili u pendua në kryq, i njohur si Vjedhësi i Mirë. Te Ungjilli Sipas Lukës 23:43 thuhet: Atëherë Jezusi i tha (vjedhësit) “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” Si në traditën e krishterë katolike romake ashtu edhe atë orthodokse, Vjedhësi i Mirë është konsideruar si shenjtor, për këtë arsye, në kontekstin e veprës ajo që artisti po shprehte ishte se martirët shkodranë e arbërorë ishin në parajsë me Krishtin, ata kishin arritur shenjtërimin, ndaj edhe fytyra e Jezusit të kryqëzuar është e drejtuar djathtas për nga flamuri i arbërit dhe shenjtori.

Qarkullojnë shumë teza mbi origjinën e flamurit me shqiponjën dy krenare. Është fakt historik që ky simbol daton që nga qytetërimi sumer, perandoria romake dhe bizantine, etj, por duhet theksuar që stilistika e formës dhe siluetës së shqiponjës së Gjergj Kastriotit, dhe ngjyra e kuqe e flaktë e fushës së flamurit janë tërësisht shqiptare, e sado të përafërta me emblemat e disa vendeve të tjera, si në mesjetë ashtu edhe gjer më sot, janë unike shqiptare.

Vepra madhështore “Kryqëzimi”, nga artisti i Rilindjes italiane, Michele da Verona, do të mbetet një homazh dhe ilustrim pamor i një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë, e nëse shihet së bashku me të gjitha kryeveprat botërore që përmbajnë elementë shqiptarë ne do kemi një panoramë më të qartë të vlerave dhe pasurisë sonë të çmuar historike e kombëtare.