Flamurtari e Tirana kamnë fituar gjysmëfinalet e para të play off-it në basketboll për femra respektivisht ndaj Studentit dhe Goga Basket, duke udhëhequr 1-0 serinë e kësaj faze. më 18 prill luhen ndeshjet e kthimit. Kampionet vlonjate nuk e patën aspak të vështirë të mposhtin Studentin në fushën e tyre, një ndeshje që nuk pati shumë rivalitet.

Flamurtari ishte vazhdimisht në epërsi, madje luajti pa u sforcuar shumë dhe duke ruajtur forcat për sfidat e rëndësishme finale. Studenti bëri maksimumin e tij, luajti pa shumë objektiva, pasi ia ka dalë mbanë që të kualifikohet në katërshe dhe të luajë mes më të mirave edhe sezonin tjetër.

E njëjta situatë edhe në ndeshjen e luajtur në “Fahrie Hoti”, ku Tirana mundi 90-67 Goga Basket. Edhe pse pritej një përballje më e fortë, ishin basketbollistet bardheblu ato që dominuan me lojën e tyre, duke u shkëputur gradualisht nga perioda në periodë.

Për durrsaket fitorja ishte shumë e vështirë, ndërsa Tirana luajti më e qetë, madje e karikuar pas fitores pak ditë më parë të Superkupës.

U luajt edhe ndeshja e play out mes Vllaznisë dhe Apolonisë, dy ekipe që synojnë të luajnë mes më të miravë sezonin tjetër.

Takimi i luajtur në Shkodër u dominua dhe fitua me meritë nga basketbollistet vendase, që patën epërsi gjatë gjithë kohës. Për Vllazninë një fitore e rëndësishme, që hedh një hap përpara drejt qëndrimit në Grupin A1.

Play off – Gjysmëfinale femra (14 prill)

Flamurtari – Studenti, 82-66 (1-0 me ndeshje) 
Tirana – Goga Basket, 90-67 (1-0 me ndeshje)

Play off – Gjysmëfinale femra (18 prill)

Studenti – Flamurtari, ora 17:00 (Asllan Rusi-1) 
Goga Basket – Tirana, ora 17:00 (Akademia Dh.Goga)