Skuadra kampione e Flamurtarit fitoi 59-57 ndaj Goga Basket në ndeshjen kryesore të javës së 17-të të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për femra, takim i luajtur në Vlorë dhe që u vendos në sekondat e fundit në favor të ekipit vendës.

Një sfidë e hapur deri në sekondën e fundit, të dyja skuadrat rivalizuan fort për ta fituar atë, ku herë udhëhiqte njëri ekip e herë tjetri.

Durrsaket udhëhiqnin 31-26 në përfundim të pjesës së parë, por vlonjatet rikuperuan në 20 minutat e dyta dhe fituan në sekondat e fundit, pas një gjuajtje të Mijatovic, që përmbysi shifrat në favor të Flamurtarit.

Ky sukses mban Flamurtarin në vendin e parë, shkëputur nga Tirana e vendit të dytë.