Forumi i Durrsakëve mbush sot një vit nga dita kur u hap për herë të parë si faqe në rrjetin social Facebook. Ishte një inisiativë personale dhe e disa miqve të mi durrsakë për të krijuar një grup me qëllimin që të bashkonte vlerat intelektuale durrsake nëpër botë së bashku me vlerat intelektuale durrsake që jetojnë aty në Durrës me dëshirën e promovimit të këtyre vlerave.
Në këtë hark kohor Forumi u rrit edhe në numër anëtarësh dhe tashmë ka hyrë në fazën e tij të afirmimit. Shumë persona në Durrës, qytetit të cilit i falemi, e njohin këtë faqe dhe Forumi i Durrsakëve tashmë numëron rreth 3400 anëtarë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore kemi bashkuar rreth vetes me dhjetëra e qindra artistë, intelektualë, arsimtarë, mjekë, apo bisnesmenë e politikanë së bashku me gazetarë, me qëllim të sillnim në piazzën e qytetit tonë një mentalitet të ri perëndimor dhe qytetar të ndryshëm, jashtë atij indiferentizmi të shfaqur në kohë.
Kjo ka qenë dhe mbetet primare në motivacionin që rimbush sjelljet dhe këndvështrimet e atyre që na ndjekin dhe përkrahin. Motivacionet janë nga më të ndryshmet dhe risjellin në perspektivë aspiratat e atyre që lanë qytetin për një jetë më të mirë në vendet perëndimore, por edhe të vetë atyre që jetojnë sot në Durrës.
Linja editoriale e Forumit ka qenë pavarësia politike e mendimit dhe arsyetimit duke bërë thirrjen qytetare të të gjitha partive politike që interesat lokale janë primare përpara interesave partiake. Forumi gjatë gjithë kësaj kohe ka debatuar dhe ka sjellë tematika që i interesojnë qytetarit në lidhje me mjedisin, kulturën, ambjentin, shëndetësinë, monumentet kulturore, apo dhe vetë promovimin e atyre që na bëjnë të jemi krenarë nëpër Botë.
Mbas hapjes së tij si Forum në Facebook, ishte imperative që të kishte një Bord Drejtues që të drejtonte atë dhe që u zgjodh nëpërmjet një votimi transparent online i pari në nivel social-netëork. I shquar për seriozitetin e tematikave që trajton dhe problematikave që ndjek u përzgjodh të ishte një zë për ndihmë për djaloshin durrsak të sëmurë me leuçemi Bledi Mezi, të cilit ju dhurua një shumë simbolike e mbledhur nga anëtarët e tij, gjatë kohës që ishte në kurim në Itali.
Ky rast human ishte tregues që pjesëtarët e tij pa asnjë lloj interesi ekonomik dhe personal u përpoqën të japin një shtysë në këtë raport të vështirë që krijohet në të tilla raste. Në vazhdimësi duke punuar përditë dhe me mjetet mediatike që funksionojnë në qytet dhe veçanërisht me gazetën “Dyrrah: dhe me mbështetjen e Kryetarit të Këshillit Bashkiak z.Indrit Hamiti që mundësoi këtë lidhje ne anatemuam dhe dhamë një shtytje për një seri tematikash që preokupojnë sot Durrësin në nivelin e shërbimeve sociale dhe problematikave qytetare siç është dhe rasti për të investuar në krijimin e një kinemaje qytetare apo të një gazete lokale të përditshme dhe aq më tepër në investimet në energjinë e pastër dhe alternative.
Të gjitha nismat e patën kulmin me nismën e realizimit të eventit “Dita e Durrsakëve” gjë të cilën të gjithë e dimë që u realizua me sukses më 11 gusht të këtij viti. Ishte një sukses i paparë si për nga mesazhi që përcolli, por edhe nga pjesëmarrja dhe masiviteti. E gjitha kjo u realizua pasi Forumi kaloi nëpër binarët e legalizmit si një shoqatë kulturore jo fitimprurëse me synim evidentimin dhe propagandimin e artistëve durrsakë të njohur nëpër botë.
Edhe ekspozita e piktorëve e hapur me këtë rast ishte një tregues që ka domethënien e tij në këtë aspekt. Objektivat janë mëse të qarta për të vazhduar në rrugën e nisur dhe të mos anashkalojmë asnjë dhe të mirëpresim të gjithë ata që kanë në zemër Durrësin dhe vetëm Durrësin. Është një nder i madh për mua të falenderoj nga zemra të gjithë ata që janë zemra e Forumit dhe që kanë dhënë një ndihmesë të madhe në ecurinë e tij: Eneida Biduli, Morena Cyrbja, Ervin Luli, Mimoza Saliaj, Linda Nuredini, Ninfa Sofia Bega, Alma Keta Oshafi, Keidi Sejdiu,Vlash Gjorga, Ilir Ngresi, Hektor Derraj, Arben Disha, të cilët me kontributet e tyre kanë qenë dhe janë stimul për të gjithë.
Urimet më të mira për forumin tonë që u hap në Philadephia të SH.B.A, në vendin e demokracisë më të mirë në botë dhe ku shpejtësia teknologjike e lidhi me një click me të gjithë durrsakët anembanë planetit me dëshirën të bashkohen në Durrës një dite të madhe në eventin tradicional “Ditën e Durrsakëve”. Dhe ia arriti dhe do vazhdojë të jetë në të njëjtën linjë dhe koezion me kohët që jetojmë, kohë që kërkojnë nga ne të jemi më pranë asaj që është pjesë e jetës sonë Durrësit tonë të dashur.