3dhjetor 2015 – Ambasadori amerikan Donald Lu, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara u ka përcjellë atyre një mesazh me plot optimizëm. Donald Lu nuk ka ngurruar që për pak kohë të jetë fizikisht i barabartë me ta, duke u ulur në një karrige me rrota, prej nga ka luajtur basketboll, ashtu si asnjë diplomat më parë, ai ka dhënë mesazh për kategorinë PAK, duke treguar një histori që për të është simbol i optimizmit.

“Kam mësuar se të gjithë ne lindim me disa aftësi dhe me disa kufizime. I përket secilit prej nesh që ta jetojë në maksimum jetën e tij. Shumë njerëz ma kanë kujtuar këtë gjatë gjithë jetës sime dhe do të doja t’ju tregoja njërën prej tyre… Ishte një vajzë që do ta kujtoj gjithmonë. Ajo kishte tumor në tru dhe i duhej të vinte një helmetë speciale për ta mbrojtur, pasi kishte kriza të vazhdueshme dhe binte papritur në tokë… Ajo ishte plot jetë dhe merrte pjesë me gëzim në të gjitha aktivitetet. Besonte se mund të bënte gjithçka. Ajo buzëqeshte gjatë gjithë kohës dhe më dha një mësim që e kam mbajtur me vete gjatë gjithë jetës. Ajo më mësoi se me këmbëngulje dhe optimizëm, dhe pak ndihmë nga miqtë tanë, nuk ka asgjë që nuk mund ta arrijmë”.

/portali DurrësLajm/