Erlis Frashëri iu bashkua Teutës i pari në këtë merkato. Në fakt, trajneri Bledi Shkëmbi e kishte piketuar mbrojtësin e djathtë korçar shumë shpejt për ta pasur në ekip dhe dëshira e tij u realizua nga drejtuesit durrsakë. Frashëri kishte luajtur edhe më parë me Teutën dhe e dinte shumë mirë se çfarë ambienti e priste në skuadrën bregdetare.

“Pas eksperiencës pozitive te Kamza ishte momenti që të ndryshoja ambient, duke qenë në një skuadër që ka synime madhore. Jam i lumtur që në Durrës besuan tek unë, do të mundohem t’ia shpërblej trajnerit dhe presidencës me lojën time”, thotë fillimisht mbrojtësi i djathtë, i cili kur ka qenë për herë të parë pjesë e Teutës në vitin 2012, luante si sulmues krahu.

“Kohët ndryshojnë dhe tashmë ndihem mirë në rolin që kam si mbrojtës i djathtë. Jam përshtatur me rolin që kur kam qenë te Luftëtari disa vite më parë me trajner Bledar Devollin. Që prej asaj kohe, nisur edhe nga eksperienca e fituar, mendoj se mund të bëj më mirë në këtë pozicion. Natyrisht, duke qenë një lojtar me tipare sulmuese, dua ta ndihmoj skuadrën”, tregon korçari.

Lojtari 30-vjeçar ndihet keq që në debutimin e tij me fanellën durrsake, ekipi nuk arriti të fitonte ndaj Flamurtarit. “Të them të drejtën, sikur nuk e kishim vlerësuar si duhet kundërshtarin, edhe pse dihet që ka lojtarë cilësorë brenda. Nuk di ta shpjegoj pse ishim në një ditë të tillë. Nuk dolëm në lojën tonë dhe ishim larg paraqitjeve që bëmë në miqësoret e janarit. Natyrisht, një barazim nuk është fundi i botës, por kur mendon se mund të përfitonim nga hapi fals i Kukësit dhe të ngjiteshim në vend të dytë, ndien keqardhje.Gjithsesi, kampionati është i gjatë dhe unë jam i bindur se Teuta do të vazhdojë me rezultate pozitive, duke filluar që nga transferta e radhës ndaj Tiranës. Sigurisht, na pret një ndeshje e fortë, por mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të dalë me pikë të plota nga ky takim. Uroj që këtë herë të kemi edhe fatin me vete”, përfundoi Frashëri.