Risia vjen me departamentet politike dhe ato mediatike, ku janë angazhuar shumë të rinj

Forumi Rinor i Partisë Socialiste po mobilizohet për t’i dhënë një shtysë ringritjes së strukturave, me fokus qëndror demokratizimin e mëtejshëm. Ndryshimi këtë vit në këtë Forum filloi nën moton Re: FRESSH, ku 6 kandidatë të përzgjedhur me kujdes nga organet e Partisë Socialiste nisën garën midis tyre me prezantimin para elektoratit në çdo qytet të Shqipërisë. I gjithë ky tur i lodhshëm u mbyll me takimin final në Pallatin e Kongreseve, i cili përkoi njëkohësisht dhe me Kongresin e FRESSH-it me datë 12 qershor 2012. Re: FRESSH e hapi siparin në Durrës, ku në praninë e kryetarit Edi Rama u shpërndanë 300 karta të reja anëtarësimi për të rinjtë durrsakë, të cilët zgjodhën të jenë pjesë e FRESSH dhe Partisë Socialiste.

Ky aktivitet u pasua nga zgjedhjet për kryetar FRESSH-i për qytetin dhe rrethin Durrës. Brenda një kohe të shkurtër Forumi Rinor Eurosocialist Durrës nisi konstituimin e strukturave përkatëse në të gjithë komunat dhe qytetin. Sot kemi një mirëorganizim të strukturës qendrore, e cila përveç drejtuesve kryesore përbëhet dhe nga kordinatorë për çdo gjimnaz, universitet dhe lagje. Gjithashtu vlen për t’u përmendur një risi me departamentet politike dhe ato mediatike, ku shumë të rinj kanë gjetur veten dhe janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në këtë drejtim. FRESSH Durrës, hapi siparin këtë muaj duke organizuar për herë të parë në këtë qytet kompionatin e volejbollit për të rinjtë durrsakë. Në vazhdim FRESSH ka një axhendë të mbushur plot e përplot me aktivitete kulturore, sportive, konferenca dhe debate me problematika që prekin të rinjtë durrsakë.


Erald Hasanaj, kryetar i FRESSH, Durrës

FRESSH përfaqëson energjinë rinore dhe adrenalinën e PS-së. Të rinjtë duhet ta shohin atë si një vend ku të shprehin idetë, të dëgjohet mendimi dhe të vlerësohet puna e tyre. Nuk duhet të jenë të indoktrinuar politikisht, por të jetë një lëvizje me jetë dhe gjallëri për të frymëzuar të gjithë rininë durrsake. Rinia durrsake është simbol i veçantë dhe promotor i aktiviteteve sportive, kulturore dhe artistike, jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë Shqipërinë. Ajo që ka munguar deri më sot ka qenë vullneti. Ne sot do të japim maksimumin për ta rizgjuar rininë durrsake dhe mbi të gjitha vlerat e qytetit tonë.


Soren Dedja, n/kryetar i FRESSH, Durrës

Jemi të gjithë këtu në këtë Forum, jo për interesa personale, por në emër të një grupi djem e vajzash të mrekullueshëm që na bashkon një ideal, na bashkon fryma e bashkëpunimit dhe tolerancës. Jemi të gjithë në këtë Forum për të çuar përpara punën e bërë ndër vite dhe për të përmirësuar gjithmonë e më shumë imazhin e FRESSH-it. Dëshirojmë që kjo punë të ketë vazhdimësi. Përtej aktivitetit politik, FRESSH do të jetë një Zë i fuqishëm për Rininë durrsake, sepse kësaj rinie i mungon një strukturë përfaqësimi. Rinia është forcë e madhe, gjithashtu dhe ndëshkuese. Jemi ne ata, që do të vendosim për fatet dhe vazhdimësinë e këtij vendi. Jemi ne ata, që nesër do të jemi në krye të këtij vendi. Të gjithë të bashkuar, të gjithë së bashku ne mundemi për të qenë pjesë e bashkimit të madh. Të gjithë për: SHQIPËRINË SI E GJITHË EUROPA.