Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar një paralajmërim serioz për përhapjen alarmante të fruthit në 58 shtete të botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ku tashmë janë shënuar viktimat e para – dy fëmijë që kanë humbur jetën.
Gjatë një konference për shtyp në Gjenevë, drejtoresha e vaksinave pranë OBSH-së, Kate O’Brien, theksoi se virusi i fruthit është një nga më ngjitësit dhe i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen sa më parë.
“Vaksina kundër fruthit është jashtëzakonisht e sigurt dhe efektive. Kjo është mënyra më e mirë për të ndaluar përhapjen e virusit,” deklaroi ajo, duke shtuar se përhapja aktuale lidhet ngushtë me rënien e nivelit të vaksinimit, si pasojë e efekteve të mbartura nga pandemia e COVID-19.
Ndërkohë që shpërthimi i fruthit ka prekur veçanërisht shtetin e Teksasit në SHBA, zyrtarët shëndetësorë janë vënë në alarm për mungesën e veprimeve të mjaftueshme për ta ndalur atë. Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., i cili më parë ka qenë skeptik ndaj vaksinave, vetëm së fundmi ka pranuar efektivitetin e tyre – një lëvizje që OBSH e sheh si të vonuar.
“Sa kohë që një shpërthim është aktiv, nuk mund të themi se është bërë mjaftueshëm,” theksoi O’Brien.
OBSH i bën thirrje çdo shteti të shtojë përpjekjet për vaksinim masiv dhe ndërgjegjësim, për të ndalur sa më parë këtë valë të rrezikshme të infeksionit.