Shqipëria kërkon një tjetër event madhor të futbollit. SuperSport ka mësuar se Federata Shqiptare e Futbollit ka aplikuar për të fituar të drejtën e Kampionatit Europian të 21-vjeçarëve të vitit 2027 në Shqipëri. Padyshim një projekt ambicoz  që do ta vinte Shqipërinë në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit. Ky aplikim vjen vetëm pak kohë pasi Shqipëria fitoi të drejtën e organizimit të Europianit për moshat U-17, teksa akulli i eventeve kontinentale u thye me finalen e madhe të Conference League në edicionin e parë të saj mes Romës dhe Feyenoord në “Air Albania”. Gjithsesi organizimi i një turneu si europiani kërkon shumë më tepër përpjekje edhe për shkak të kohëzgjatjes si dhe numrit më të madh të ndeshjeve dhe akomodimit të shumë skuadrave pjesëmarrëse.

Pikërisht këtu qëndron dhe strategjia e Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka nisur nga puna për akomodimin e Europianit të vitit të ardhshëm për 17 vjeçarët,  ku ndeshjet do të luhen në 4 stadiume, “Air Albania”, “Loro Boriçi”, “Elbasan Arena” dhe “Arena Egnatia”, ndërkohë që  po punohet për të patur gati dhe 8 qendra stërvitore me bar natyral ku do të stërviten skuadrat pjesëmarrëse, ku janë përfshirë që nga ambientet e reja të Shtëpisë së Futbollit, kompleksi Skënder Halili, stadiumi i Kamzës, “Niko Dovana” në Durrës apo dhe “Tofik Jashari” në Shijak.

Në këtë mënyrë FSHF jo vetëm ka kryer pjesën më të madhe të investimeve që mund të shfrytëzohen edhe për një Europian të 21-vjeçarëve, por edhe mund të krenohet në aplikimin e saj me një infrastrukturë të sapo rikonstruktuar. Sigurimi i të drejtës për të mikpritur Europianin e U-21 për vitin 2027 do të ishte padyshim një arritje e mrekullueshme, duke e kthyer vendin në keryeqendrën europiane të futbollit për një event të rëndësishëm që mbledh talentet më të mëdhenj të kontinentit por dhe një aktivitet jashtëzakonsisht fitimprurës për ekonominë e vendit.