Gara për titullin në Premier League është më e ndezur se kurrë. Deri përpara pak javësh, Arsenali kishte një avantazh prej 9 pikësh në krye të renditjes, por kur kanë mbetur edhe 5 javë nga fundi i kampionatit skuadrat janë shumë pranë njëra-tjetrës, kjo pas fitores së Citizens në sfidën e së dielës në atë që u konsiderua një ‘finale’ e vërtetë e kampionati me skuadrën e Guardiolës që konfirmoi se varet nga vetja e saj për të fituar titullin e 7 në 9 sezonet e fundit në Premier League.
Me një ndeshje më pak, Manchester City ka 3 pikë më pak se Arsenali, kështu që nëse të dyja skuadrat i fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura të kampionatit, titulli do të vendoset nga golavarazhi, që për momentin favorizon Arsenalin, +37 kundrejt +36 të Citizens. Por përvec kampionatit, si Arsenal ashtu edhe Manchester City janë në garë për tituj të tjerë shumë të rëndësishëm. Arsenali është në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve ku e pret një përballje shumë e fortë me Atletico Madrid, ndërsa Manchester City synon të fitojë FA Cup ku do të përballet me Southampton, ndërkohë që më herët Citizens kanë fituar edhe Kupën e Ligës.
Përsa i përket Premier League, manchester City ka për të zhvilluar ndeshjen e prapambetur me Crystal Palace në shtëpi, ndërsa përsa iu përket 5 sfidave të fundit, 3 prej tyre Citizens do t’i luajnë jashtë fushe; me Burnley ( i 19), Everton (i 10) dhe Bournemouth (i 8) dhe 2 në Etihad; ndaj Brentford ( i 7) dhe Aston Villa ( e 4). Ndërsa Arsenali do të presë Neëcastle(i 14) dhe Fulham (i 12) me sfidën me Atletico Madrid mes tyre. Më pas do të vizitojë West Ham (i 17) që lufton për mbijetesë, do të presë Burnley(i 19) dhe do të mbyllë kampionatin në fushën e Crystal Palace(i 13).





