Policia e Lezhës ka intensifikuar kontrollet për të parandaluar krimet mjedisore.

Bëhet e ditur se gjatë kontrolleve në shtratin e lumit Mat është arrestuar pronari i ekskavatorit shtetasi Artur Lika, pasi ishte duke gërryer në shtratin e lumit në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë janë proceduar penalisht  drejtuesit e kamionëve shtetasit Shyqyri Shuaipi dhe Dashamir Zenelaj.

Gjithashtu, është proceduar penalisht për shpërdorim detyre Inspektori për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, Aleksandër Uku.

Njoftimi i policisë

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar edhe në informacionet e marra për disa persona që gërryenin shtratin e lumit Mat, duke marrë zhavorr dhe inerte në mënyrë të paligjshme, kanë ushtruar kontrolle përgjatë shtratit të lumit.

Gjatë kontrollit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi u konstatua duke gërryer me ekskavator shtratin e lumit. 

Gjithashtu u kapën dhe u proceduan penalisht shtetasit Sh. Sh., 39 vjeç dhe D. Z., banues në Tiranë, drejtuesit e mjeteve kamion që shërbenin për transportimin e inerteve pa dokumentacionin përkatës, të cilët u sekuestruan nga shërbimet e Policisë.  

Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi A. U., 54 vjeç, banues në Lezhë, më detyrë inspektor për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar kontrollin konform ligjit për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e subjekteve në shtratin e lumit Mat.

Strukturat vendore të Policisë Lezhë janë të angazhuara maksimalisht për evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Kontrollet do të vijojnë për evidentimin dhe penalizmin e çdo subjekti që tenton të marrë inerte pa leje në shtratin e lumit Mat apo që kryen krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ambientit dhe lumenjve apo zjarrvënie të qëllimshme në pyje dhe kullota.