100 vjet më parë patriotët durrsakë e më pas edhe delegatët në shkallë vendi realizuan ëndrrën e vjetër të shqiptarëve, shpalljen e pavarësisë. Sot Durrësi feston 100 vjetorin e ngritjes së flamurit, ndërkohë që e gjithë Shqipëria po përgatitet të festojë në mënyrën më madhështore të mundshme këtë përvjetor jubilar për të gjithë shqiptarët kudo ku janë.
Para një shekulli, atdhetarët, duke mos marrë parasysh rrezikun që u kërcënohej nga pushtuesit turq e jo vetëm, bënë të mundur valëvitjen në një ballkon të Vlorës të flamurit kuq e zi, atij flamuri që në shekuj ka bashkuar shqiptarët nga jugu në veri nga perëndimi në lindje, brenda kufinjve, por edhe jashtë trojeve kombëtare.
Në këtë 100 vjetor shqiptarët kanë me se të krenohen, pasi vendi po hedh hapa drejt integrimit në Bashkimin Europian, ndërkohë populli martir i Kosovës arriti të shpallte pavarësinë më 17 shkurt 2008. Roli i Shqipërisë në gadishullin e Ballkanit është mjaft konstruktiv për garantimin e paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të kontinentit të vjetër të trazuar shpesh nga luftrat etnike dhe ato për zgjerimin e territoreve.
Tashmë ditët e trazuara të atyre viteve të para të shekullit të kaluar, të mbushura plot intriga politike, vendime për ndarje kufinjsh pa respektuar vullnetin sovran të popullit shqiptar, lufte të pandërprerë të patriotëve dhe atdhetarëve brenda e jashtë vendit për të përhapur gjuhën shqipe dhe për të ruajtur me gjak dhe jetë trojet e të parëve, duken të largëta. Ëndrra e vjetër e burrave të urtë të Shqipërisë tashmë është realizuar. Shqipëria është një shtet i konsoliduar, madje politikanët nga të dy anët e kufinjve flasin dhe për Shqipërinë etnike, bashkimin e trojeve në të dy anët e kufirit.
Nëse do bënim një krahasim me atë që ishte dhe çfarë është tani Shqipëria në këto 100 vjet pavarësi ndryshimi është i dukshëm, megjithëse ka ende vend për të bërë më shumë. Sakrificat, gjaku dhe mundi i atdhetarëve që në shekuj kanë luftuar për gjuhën shqipe dhe flamurin me shqiponjën dy krenare duhet të shërbejë si mesazh për të gjithë ne, sidomos për klasën politike shqiptare për të parë përtej interesave të ngushta personale, për të kapërcyer inatet e vjetra dhe për t’u përpjekur të realizojë atë që ka qenë gjithnjë aspirata e shqiptarëve, për të qenë pjesë e ëndrrës së madhe europiane, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, ku çdo qytetar e sheh veten e tij të barabartë para ligjit e ku çdo politikan ndjen përgjegjësinë që rrjedh nga qeverisja e jo privilegjet që derivojnë prej pushtetit.
Sot shqiptarët janë të lirë të lëvizin kudo në Europë dhe botë, por ka një vend ku ata kërkojnë të rikthehen sërish me mall dhe kjo është Shqipëria. Përballë ngjyrave kuq e zi çdo njëri nga ne përulet me respekt duke nderuar aspiratat dhe gjakun e të parëve tanë si dhe shqipen dykrenare nga e cila kemi marrë edhe emrin. Duke iu bashkuar urimit të çdo shqiptari në këtë prag përvjetori jubilar gazeta “Dyrrah” uron çdo lexues të saj, çdo durrsak dhe çdo shqiptar kudo ku ndodhet Gëzuar 100 Vjetorin e Pavarësisë.