Nga Novruz Zejnati
Doktor Profesor Gjergj P. Titani u lind në Korçë në 23.1.1937 në gjirin e një familje me tradita të shquara atdhetare dhe antifashiste. Ai është veteran më i ri i LANÇ, poet, publicist, historian dhe një nga ushtarakët më të talentuar të ushtrisë shqiptare. Arsimin fillor e mori në Korçë. Në vitin 1950 hyri në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe dy vjet më pas, në 1952, në shkollën e bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha” (sot Akademia Ushtarake e Trupave Tokësore “Skënderbej”). Në vitin 1954 titullohet officer dhe dërgohet për studime të larta ushtarake në Riga të Letonisë, në ish Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1959 diplomohet në Baku të Azerbajxhanit. Gjergji ishte vazhdues dhe trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Luftës Nacionalçlirimtare.
Në këtë mjedis, Gjergji skënderbegas farkëton karakterin sipas parimeve diogjenike se pasuria që duhet të mbajë me vete njeriu është drejtësia, edukata, vullneti dhe guximi. Por mbi të gjitha, ai bëri aty miq, të cilët nuk i ndau asjëherë nga vetja. Në bankat e kësaj shkolle ai rrënjosi një herë e mirë mendimin filozofik se miqësia është më tepër se shfaqja e virtytit, ajo është vetë virtyti. Me këto vlera njerëzore, Gjergji shpalosi gjithçka në këto vite, si kur çdo gjë po ecte normalisht ën jetën e tij, ashtu edhe kur fati i kthehu krahët. Ai u shndërrua në një simbol, në një figurë emlematike për të gjithë vëllazërinë e atyre që studiuan me të në shkollën e papërsëritshme, “Skënderbej”.
Pas kthimit në atdhe, nis shërbimin në Kepin e Rodonit, Sazan, Tiranë, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë në funksionin e Shefit të Shtabit të Korpusit të Mbrojtjes Bregdetare. Në vitin 1968 përfundon me rezultate të shkëlqyera Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë. Në 1 shtator 1973 fillon kalvari i dhimbshëm i persekutimit në moshën 36-vjeçare, me akuza të ngritura nga lart nga partia, të pafaktuara nga organet partiake. Ai përjashtohet nga partia dhe lirohet nga ushtria si “i padëshirueshëm”. Në 17 gusht më mer në telefon duke qarë Vitua, nëna e Gjergjit dhe më thotë se Gjergjin e kanë arrestuar në Vlorë ku ishte me shërbim dhe në shtëpi kanë ardhur katër ushtarakë të Ministrisë së Brendshme dhe po bëjnë kontroll banese. Siç isha, zbres menjëherë nga makina, mbush pistoletën me fishek në gojë dhe i them ushtarit që më shoqëronte me automatik: Nuk do të kryesh asnjë veprim pa ardhur unë! Shkova në shtëpi, aty ishte një gjendje shumë e rëndë. Sokoli dhe Irma ishin shumë të vegjël dhe qanin. Po ashtu edhe nëna e tij, Vitori Titani, infermiere partizane që i kishte shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm Enver Hoxhës, ndërsa babai, Petraqi, kishte qenë komunist i grupit komunist të Korçës. Në këtë situatë hyra në shtëpi dhe bëra çmos për t’i qetësuar. Përgjegjësi i grupit të ushtarakëve që kryente kontrollin, më njihte, por as më foli dhe as unë nuk in fola. Bie telefoni i shtëpisë, e mer përgjegjësi i grupit dhe aty urdhërohen që të largohen nga shtëpia. Unë qëndrova në shtëpinë e Gjergjit. Në atë kohë isha komandant i Brigadës së Parë. Tw nesërmen, oficeri i drejtimit Koli Bita, më thotë se në orën 12.00, me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, duhet të jeni në Komitetin Qendror tek Gafurr Çuçi dhe Mihal Bisha. Shkova në orar dhe pasi u përshëndeta me ta, më thanë: Ju mbrëmë keni kryer një veprim skandaloz, keni shkuar në shtëpinë e armikut të partisë dhe popullit Gjergj Titani. Po, u thashë, tek kjo familje kam vajtur, sepse kisha një detyrim moral ndaj Gjergjit, sepse me të jam rritur.
-Gjykata do ta dënojë atë në bazë të provave dhe fakteve si armik. Ne dinim se kishe shkuar i armatosur aty dhe nëse nuk do të ndërhynim ne, a e kupton se çfarë mund të ndodhte? Po skur të hapej zjarr nga të dy palët? – më pyesnin ata. Unë e dija fishekun e fundit mund ta përdorja në kokën time, ushtarët nuk mund të kapnin të gjallë gjeneralët.
Për këtë faj që kisha kryer, Ministri i Mbrojtjes më dha masën: “Vërejtje e rëndë me paralajmërim për shkarkim nga detyra”. Në 17 gusht 1977 Gjergji arrestohet e dënohet me 18 vjet burg nga një gjyq pa fakte e prova i kryer në bashkëpunim nga gjyqtarë e prokurorë që jepnin vendime të pabazuara. Në 30 prill 1990 lirohet nga burgu i egër i Burrelit ku e vuajti të gjithë dënimin. Gjendja e tij morale ishte mjaft e lartë, por nga shëndeti ishte dobët. Ditën e daljes nga burgu kemi biseduar gjatë për problemet tona. Pas një jave erdhi në shtëpinë time në Durrës dhe qëndroi dy ditë. Nuk donte të takonte njeri, donte vetëm qetësi. I them: “Kur ishim me shërbim në Flotën Luftarake në ishullin e Sazanit, ti shpeshherë më thoshe: Lirinë e Zotit nuk e dua, lirinë e falur nuk e pranoj, për lirinë shpirti dhe zemra më vlon, o e fitojmë, o në ferr do shkojmë”. Këto pak vargje ia shkrova në një letër kur ishte në burg, bashkë edhe me 500 lekë të asaj kohe, ia dërgova me një oficer që ishte në shërbim në burgun e Burrelit. E pyeta: T’i dha, apo jo? Gjergji pohoi me kokë, po. Dëgjo vëllai im i dashur: Titanët nuk mposhten. Ah, ta dish, sa të dua e sa më mungon!
Gjergj Titani ishte vital, veprimtaria e tij pas dënimit është puna studimore shkencore duke filluar nga aktiviteti në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut si anëtar aktiv i “Amnisty International”. Është ndër themeluesit e shoqatës së të përndjekurve politikë të Shqipërisë dhe fillimisht sekretar i saj. Në 23 janar 1996 fiton gradën “Doktor i Shkencave”, ishte nënkryetar i Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve të Shqipërisë, themeluar në Stamboll, kryetar i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë të Shqipërisë dhe asaj “Miqtë e Pushkinit”. Ka marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare në Holandë, Rusi, Itali, Greqi, Jordani, Bullgari, Turqi, Hungari etj, është dekoruar me urdhëra e medalje të ndryshme, që nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë, me dy medalje nga presidenti i Federatës Ruse Boris Jeltsin. Ka botuar shumë artikuj, referate e kumtesa. Libri i tij i parë me poezi titullohet: “Metaforat e dhimbjeve”, i cili është përkthyer në Rumani, Çeki, Holandë e Poloni. Libri i fundit është “Baladat e shpresës”, ndërsa libri i fundit historiko-ushtarak, titullohet: “Personalitete ushtarake shqiptare në vite”, dhjetor 1912-1997.
Ai u nda nga jeta në 17 nëntor 2011 dhe mbi të gjitha mbeti një ushtarak i përhershëm i atdheut të vet dhe do të nderohet e kujtohet me respekt.