Gjermania i jep lamtumirë Kaizerit, Franz Beckenbauer shuhet në moshën 78-vjeçare

Futbolli gjerman dhe ai botëror janë në zi për ndarjen nga jeta të një prej legjendave më të mëdha të sportit: Franz Beckenbauer ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

Një mesfushor brilant apo libero pa të barabartë, Kaiser, apo Perandori, shkroi historinë e futbollit me Bayern Munich dhe Gjermaninë, si në fushë ashtu edhe si trajner.

Ai e fitoi Topin e Artë dy herë. Vdekja e ndodhur të dielën u konfirmua nga familjarët. Prej disa vitesh ai vuante nga probleme shëndetësore.

I lindur në Giesing më 11 shtator 1945, Beckenbauer konsiderohet futbollisti më i mirë gjerman i të gjitha kohërave dhe ishte i pari në historinë e futbollit që fitoi Kupën e Botës fillimisht si futbollist dhe më pas si trajner në 1990.

Në 12 vjet me Gjermaninë e atëhershme Perëndimore, Beckenbauer ishte kampion bote në 1974, zëvendës kampion në 1966, kampion evropian në 1972 dhe zëvendës kampion në 1976.

Me Bayern Munichun, ai fitoi tre Kupa Evropiane radhazi, një Kupë Ndërkontinentale, një Kupë të Kupave, pesë tituj të Bundesligës dhe katër Kupa të Gjermanisë.

Beckenbauer ishte një nga lojtarët e rrallë të aftë për të shënuar një epokë dhe u bë pikë referimi për shumë prej kolegëve të tij. Loja e tij elegante dhe konkrete, e rafinuar dhe thelbësore, mbetet një model i patejkalueshëm sot.