Gjykata e Posaçme, ka refuzuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë së Posaçme dhe ish-kryebashkiakut të komanduar të Kukësit, Granit Gjana.

Ky i fundit dhe SPAK, kishin arritur një marrëveshje lidhur me pranimin e fajësisë për 2 procedura tenderimi për blerje karburanti.

Gjithashtu, GJKKO ka urdhëruar kthimin e dosjes për hetim nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

Marrëveshja mes SPAK dhe Granit Gjanës, parashikonte dënimin e këtij të fundit me 1.6 vite burg të konvertuar në 3 vite shërbim prove, dhe si masë plotësuese heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat 5 vjeçar.

Lidhur me procedurat për të cilat akuzohet ish zyrtari, ka dhënë deklarime edhe ish kryebashkiaku Safet Gjici.

Nga qelia e burgut ku shlyen dënimin dënimin për shpërdorim detyre pas videoskandalit s*ksual me Alma Kaçin në zyrën e tij, Safet Gjici ka deklaruar se nuk i kujtohen detaje.

“Më date 25 Janar 2024, është bërë marrja në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale e shtetasit Safet Gjici, i cili deklaroi se për shkak dhe të kohës së gjatë aë kishte kaluar, nuk i kujtoheshin detaje rreth ngjarjes, por edhe se një pjesë e mire të kompetencave të tij si kryetar bashkie, ai i kishte deleguar tek n/kryetarët e bashkisë. Gjithashtu, shtetasi Safet Gjici, deklaroi se në muajin Prill ishte angazhuar në fushatë elektorale dhe nuk është marrë fare me punët e bashki, për shkak se dhe ligji zgjedhor nuk ia lejonte një gjë të tillë”, shkruhet në dosjen e SPAK.

Prokuroria e Posaçme, duhet të vijojë hetimet zbardhjen e abuzimit me tenderat e naftës. Granit Gjana, është vendosur nën hetim për shkelje të barazisë për dy tendera me vlerë 210 mln lekë të vjetra për naftën.

Ish-zyrtari dyshohet se nuk ka pasijur në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse një subjekt privat, i cili kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit.

Ai e ka penguar subjektin të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.000 lekëve, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023.

Për pasojë Granit Gjana akuzohet se ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm.