VLORE, 22 mars 2013 – Nën masa të rrepta sigurie Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të arrestuarit e një dite më parë në kuadër të operacionit “Underground-Al”, i cili çoi në pranga 10 persona për trafikun e drogës së Lazaratit.

Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Vlorë dhe Itali rreth orës 04:00. Blutë arrestuan në banesat e tyre dy vëllezërit, Robert Haruni, 35 vjeç dhe Marinel Haruni, 31 vjeç, nga Vlora si dhe Alfor Kurupi, 25 vjeç, nga Saranda. Sipas Policisë, kreu i kësaj organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës është 35-vjeçari Haruni.

Ndërkaq, gjatë operacionit të zhvilluar nga pala italiane u arrestuan në Venecia: Luigj Makaj, 30 vjeç, Jeton Makaj, 24 vjeç, Klaudio Paluka, 31 vjeç, Ilir Ago, 30 vjeç, Lulzim Haruni, 31 vjeç, Leonard Arapi, 31 vjeç dhe Dritan Rrotani, 37 vjeç, të gjithë rezidentë në këtë qytet.

Në bazë të hetimeve të kryera dhe të dokumentuara, ka rezultuar se kjo organizatë kriminale është përgjegjëse për trafikimin e më shumë se një ton lëndë narkotike e llojit marijuanë dhe një sasie heroine dhe kokaine, e cila, sipas konkludimeve edhe të autoriteteve italiane, kap vlerën e rreth 7 milion eurove.