Ish-drejtori i ASHK Sarandë, Mariel Murati, është liruar ditën e sotme nga burgu.

Murati qëndroi për 26 ditë nën arrest, prej ditës kur u vetëdorëzua në Komisariatin e Sarandës.

Ka qenë gjyqtari Genti Shala në gjykatën e Apelit,  ai që ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës, duke vendosur lirimin në sallë të gjyqit për 47-vjeçarin.

Mariel Murati akuzohet nga Prokuroria e Sarandës se ka ndërtuar pa leje një hotel 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës dhe më pas e ka legalizuar atë.

Pasi legalizimi u kap me shkelje nga KLSH dhe ju vendos masë kufizimi, dyshohet se Murati ka paraqitur në ASHK një akt ekspertimi të falsifikuar.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë caktoi ndaj Muratit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “ndërtim i paligjshëm” dhe “falsifikim dokumentash” pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit, e cila kishte lëshuar urdhër ndalimi për Muratin dhe 10 zyrtarë dhe ish zyrtarë të tjerë të ASHK, Bashkisë dhe IKMT.