PRISHTINË, 21 mars 2013 – Dy vjet më parë, më 18 maj 2011, u vra nga i shoqi banorja e Prishtinës Diana Kastrati, pasi kërkesa e saj për mbrojtje urgjente ndaj dhunës në familje nuk u pranua nga Gjykata e Prishtinës.

Prindërit e Kastratit kohët e fundit ngritën një padi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, që pretendonte se mosveprimi i Gjykatës së Prishtinës për të respektuar detyrimin kushtetues e ligjor të saj për të dhënë urdhrin e mbrojtjes urgjente, shkeli të drejtat individuale të Kastratit.

Dy vjet pas krimit, sikurse njofton portali SETime, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vendimin e saj u shpreh se në këtë rast ishte shkelur e drejta për jetë dhe  autoritetet nuk kishin marrë masat e nevojshme.

Gëzim Kastrati, i ati i Dianës, tha se ai dhe gruaja e tij e çuan çështjen në gjykatën Kushtetuese për të sfiduar sektorin gjyqësor në Kosovë me shpresë se autoritetet do të marrin më shumë masa parandaluese kur shtetasit janë në gjendje kërcënuese familjare.

Sipas ligjit, policia dhe gjykatat duhet të japin mbrojtje për gratë e vajzat e prekura nga dhuna në familje.

Ajshe Qorraj, zëdhënëse në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, tha për se rasti i Kastratit ishte shqyrtuar nga këshilli.

"Doli se gjyqtari i çështjes nuk veproi kur u kërkua një vendim për mbrojtjen, prandaj “iu dha ndëshkim disiplinor”, tha Qorraj.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/