Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve në procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës, duke e cilësuar atë si një gjyq politik.
Në një deklaratë për mediat, Blushi vlerësoi se ndalimi i qytetarëve për të ndjekur seancën është një tentativë për të mbuluar mungesën e provave penale në dosjen në fjalë.
Ai theksoi se prezenca e qytetarëve në sallë nuk është protestë, por një kërkesë legjitime për transparencë në një proces me ndjeshmëri të lartë publike.
Deklarata e Blushit:
“Për më tepër faktin që nga ky bunkerizim, është e pamundur të mësohen ato të vërteta të cilat po çmontohen në raport me akuzat politike dhe me një proces fund e krye politik dhe farsë. Ndaj nuk kërkojmë asgjë të veçantë. Kjo nuk është një protestë, kjo është një vullnet qytetar për të ndjekur një seancë e cila në fakt duhet të garantohet për të qenë publike, në mënyrë që i gjithë opinioni publik të mësojë të vërtetat e këtij procesi, sepse transparenca në fakt është detyrim për të gjitha institucionet në vend dhe në veçanti për funksionarët publikë.
Mos harrojmë që zoti Meta ka mbajtur funksionet më të larta shtetërore, President i Republikës, Kryeministër, Kryetar i Parlamentit, dhe ai do t’i japë llogari para të gjithë shqiptarëve, sidomos para votuesve të vet, para dashamirësve të vet, në raport me akuzat politike që janë ngritur ndaj tij. E theksoj, nuk ka asnjë çështje Meta, sepse kemi të bëjmë me një dosje bosh, me një dosje që nuk ka asnjë fakt penal, asnjë provë penale kundër tij. Ndaj thjesht qytetarët, dashamirësit e zotit Meta kërkojnë sot të jenë të pranishëm në një seancë e cila duhet, duhet, sepse kështu e thotë ligji. Nuk po kërkojmë asnjë privilegj. Po kërkojmë të zbatohet ligji. Seanca të jetë publike dhe çdo qytetari të interesuar t’i garantohet e drejta për të qenë i pranishëm në këtë seancë.
Nuk është kërkesa e Tedi Blushit kjo. Kjo është… çdo qytetar duhet t’i garantohet e drejta që ia mundëson ligji për të qenë i pranishëm në një seancë. Nuk është çështje arsyeje, është çështje ligji. Dhe ligji prevalon mbi çdo dëshirë dhe mbi çdo vullnet. Për sa kohë ligji i garanton të drejtën çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë për të qenë i pranishëm në një seancë gjyqi, kush e ka autoritetin t’ia mohojë këtë të drejtë? Zgjidhja e vetme do të ishte që seanca të transmetohej live. Për të gjithë shqiptarët. Në mënyrë që të mos ndodhemi përballë kësaj situate. Nuk është përgjegjësia e askujt qytetari pse gjykata nuk garanton transmetimin apo nuk garanton zbatimin e ligjit. Është faji i qytetarëve ky?”,deklaroi Blushi.





