Është mbajtur sot në GJKKO seanca për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.

Seanca e radhës do të mbahet më 9 korrik, ora 10:00.

Ndërkohë, Ilir Meta kërkoi rishikim të plotë financiar dhe trajtim si te vettingu.

“Sa për dëshmitarët, deri javën tjetër do të rakordohem me avokatin për t’i ndarë sipas episodeve. Gabimet e bëra në llogaritjen e pasurive nuk është rastësi. Ekspertiza financiare ime nuk është rastësi. Fakti që unë kam bërë kallëzim për rrëmbimin tim dhe ende sot nuk jam pyetur, kjo nuk është rastësi. Kërkoj që metodologjia që është përdorur për prokurorët, të bëhet edhe për mua. Unë kam qenë deputet, në rrogat më të larta të shtetit që 22 vjeç.

Unë kam qenë ministër i jashtëm. Kam qenë të paktën 300 ditë jashtë shtetit, kam marrë shumë dieta.

Mora një përgjigje: Nuk janë llogaritur dietat, se dietat i merr për t’i shpenzuar. Është absurde t’i thuash një ministri të jashtëm, që e presin me shoqërues, me dreka darka zyrtare, që i ke shpenzuar.

Është absurde kur ti del jashtë vendit si president, ku sapo zbret, të pret Secret Service dhe gjithçka tjetër është e paguar, të pretendosh se duhet të shkosh në dyqan t’i shpenzosh.

Kërkoj një ekspertizë të pavarur, duke përdorur metodologjinë e përdorur për prokurorët e gjyqtarët nga vettingu.

Jam Ilir Meta. Emri im është fuqia ime. Nuk kam cenuar kurrë interes kombëtar, publik apo personal të dikujt. Unë kam njohur vetëm rrogën e shtetit. Edhe rrogën e kam depozituar në shtëpi.

Kërkoj ekspertizë individuale dhe si familjar për periudhën që kam qenë bashkëshort. Të shihet çdo e ardhur e ligjshme që kam pasur, e që rezulton në dokumentet e shtetit”, u shpreh Meta.