Seanca gjyqësore në GJKKO për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës u shty për shkak të mungesës së avokatit të të pandehurit Aldo Majnishta dhe vetë të pandehurit, i cili nuk ishte prezent në sallë. Ndërkohë bëhet me dije se në sallën e gjyqit ishte i pranishëm Dritan Rexhepi.
Gjatë seancës, avokatja e Rexhepit kërkoi që seancat gjyqësore të mos zhvillohen të premteve, duke argumentuar se i pandehuri duhet të qëndrojë në paraburgimin 313 deri ditën e hënë. Rexhepi gjithashtu iu bashkua kërkesës së avokates, duke kërkuar që gjykimet të zhvillohen vetëm gjatë ditëve të tjera të javës.
Gjykata, pasi shqyrtoi kërkesat, vendosi të pranojë shtyrjen e seancës si dhe të pezullojë afatet e paraburgimit për Aldo Majnishtën dhe Dritan Rexhepin deri në datën e seancës së ardhshme. Seanca e radhës u caktua për datën 3 shkurt, ora 14:00.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz në 17 janar 2020 me porosi të Rexhepit. Prej 4 vitesh trupi i tij nuk është gjetur ende. Kjo ndodhi pasi vëllai i Prengës kishte vjedhur një sasi kokaine në Britaninë e Madhe që i përkiste Rexhepit. Dritan Rexhepi është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në 1999. Ai ishte në listën e më të kërkuarve nga drejtësia shqiptare. Rexhepi u arrestua në vitin 2014 me 240 kg kokainë në Ekuador e vazhdonte drejtonte nga qelia operacionet e drogës.