*Operacion i përbashkët kundër narko-trafikut, 2 në pranga, sekuestrohen rreth 812 kg marijuanë

Pas një operacioni të përbashkët të Policisë Shqiptare dhe asaj italiane, në orët e para të mëngjesit është goditur një tjetër rast i tentativës për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Policia e Vlorës në bashkëpunim me Policinë Kufitare, në afërsi të Orikumit, kanë identifikuar dhe sekuestruar një gomone me dy motorë, me 812 kg marijuanë, si dhe kanë vënë në pranga dy trafikantët.

Ndërkohë, nga ana e shërbimeve të policisë kufitare, në afërsi të vendit të quajtur Kepi i Gjuhzës, u identifikua një mjet lundrues i paidentifikuar, i cili lëvizte në drejtim lindje-perëndim.

Në ndjekje të tij u vunë shërbimet e Repartit Special “Delta” dhe të Njësisë së Guardia di Finanzas në Vlorë dhe njëkohësisht operacioni u koordinua me shërbimet e Guardia di Finanzas të Barit.

Rreth orës 02:10, shërbimet e Guardia di Finanzas, në afërsi të Leçes, kanë arritur të identifikojnë dhe të ndalojnë mjetin e lundrimit tip gomone me motor 250 kuaj fuqi.

Sipas të dhënave zyrtare, u sekuestrua një sasi marijuanë prej rreth 812 kg, e ndarë në 30 pako dhe në pranga u vunë dy shtetasit D. A. dhe A. B. 36 vjeç dhe 38 vjeç, të dy nga Vlora.

Autoritetet italiane, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të personave të arrestuar.