Nga Dr. Bledar Kurti
Kur Paridi u njoh me Helenën, bashkëshorten e Menelaut, mbretin e Spartës, dhe e rrëmbeu atë, prej bukurisë së saj vërshuan një mijë anije greke drejt Trojës, duke nisur luftën më epike në histori, e cila frymëzoi Homerin të shkruante veprën përmbi të gjitha veprat letrare të tē gjitha kohërave, “Iliada.”
Kur Dante Alighieri ishte nëntë vjeç ai pa Beatrice Portinari, tetë vjeçe, e i lindi një dashuri aq e madhe dhe e paharrueshme, edhe pse kurrë e konkretizuar por gjithmonë platonike, sa që ai e përjetësoi atë me dy veprat e tij të mëvonshme dhe epokale “La Vita Nuova” dhe “Komedia Hyjnore.”
Rreth fundit të shekullit të 15-të, një vashëz gjashtëmbëdhjetë vjeçare e lindur në Gjenovë, martohet në Firence dhe mahnit qytetin madhështor me bukurinë e saj.
Ajo ishte Simonetta Vespucci (1453 – 1476), e njohur si La bella Simonetta (“Simonetta e bukur”), gruaja e Marco Vespucci, kushëriri i eksploratorit të njohur Amerigo Vespucci.
Simonetta e bukur vdiq në moshën njëzetë e tre vjeçare, por gjatë atyre pak viteve të jetës së saj në Firence ajo u bë simbol i bukurisë femërore e u përjetësua në veprat e disa artistëve, kryesisht Sandro Botticelli, i cili i dashuruar pas fytyrës së saj magjepsëse, edhe shumë vite pas vdekjes së saj, krijoi ndër veprat më të rëndësishme në artin botëror si “Pranvera” dhe “Lindja e Venusit.”
Simonetta Vespucci vdiq në kulmin e rinisë në pranverën e vitit 1476. Gjatë varrimit ajo u transportua nëpër qytet në një arkivol të hapur për t’u admiruar për herë të fundit nga të gjithë.
Pesë shekuj më vonë, ajo vazhdon të jetë Mbretëresha e Bukurisë, e admiruar nga miliona vizitorë nga e gjithë bota në galerinë Uffizi në Firence.
“Sytë e mi dhe zemra janë në luftë të rreptë; Se kush do ta fitojë nurin tënd të rrallë,” shkroi William Shakespeare te një prej soneteve të tij. Mjafton një fytyrë, një qenie, një frymë, të transformojë të tjerët, të bëjë histori e të frymëzojë brezat përtej kohës.