Pep Guardiola nuk ishte në gjendje të fshihte zhgënjimin e tij me kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve të Mançester Sitit në Premier Ligë pas fitores së tyre me penallti kundër Seviljes në Superkupën e Europës të mërkurën. Fituesit e Ligës së Kampioneve të sezonit të kaluar barazuan golin e Jusef EnNesrit me Kol Palmerin në pjesën e dytë, përpara se të triumfonin me penallti në “Karaiskakis” kundër andaluzianëve. Duke parë ekipin e tij të përfshirë në një ndeshje me intensitet në Greqi, Guardiola u sigurua që të lëshonte një shigjetë në drejtim të Premier Ligës, pas vendimit të saj për ta përcaktuar ndeshjen e radhës së “qytetarëve” kundër Njukasëllit në kampionat, të shtunën në mbrëmje. Trajneri i Sitit tha me ironi se duke qenë se do të zbrisnin sërish në fushë pas 72 orëve, festa e tyre do të ishte e kufizuar dhe nuk do të lejonte pije alkoolike.
“Sigurisht që nesër do të jemi edhe më të lumtur se sot”, tha spanjolli përpara gazetarëve pas ndeshjes. “Do të jemi të rikuperuar, asnjë pikë alkooli sot. Do të rikuperohemi sa më shumë që të jetë e mundur. Faleminderit shumë Premier Ligës që na la të luajmë të shtunën, jo të dielën apo të hënën. Shume faleminderit”. Skenat pas fitores së të mërkurës ishin shumë larg nga ato të festimeve historike të tripletës së Sitit sezonin e kaluar.
Sulmuesi Xhek Grilish udhëhoqi festimet në qershor, të cilat filluan me një festë që kushtoi 10.000 paund gjatë gjithë natës pas fitores së tyre 1-0 në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Interit. 27- vjeçari tërhoqi të gjithë vëmendjen e tabloideve, ndërsa vijoi me festën në Ibiza me disa yje të tjerë të Sitit, përfshirë Erling Halandin, përpara paradës me autobusin e hapur. Siti do të mirëpresë kryesuesit e Premier Ligës, Njukasëllin, në “Etihad” të shtunën në mbrëmje, me “qymyrxhinjtë” që vijnë pas fitores së tyre 5-1 kundër Aston Vilës në javën e parë të kampionatit.